Artisti kosovar me përmasa ndërkombëtare, Sislej Xhafa, do të jetë pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës gjatë vitit akademik 2026/2027.
Senati i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur më 28 gusht 2026, miratoi angazhimin e Xhafës, në përputhje me Rregulloren për procedurat vlerësuese për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Artisti është përzgjedhur në bazë të dispozitës që mundëson angazhimin e personaliteteve me arritje të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
I lindur në Pejë në vitin 1970, Sislej Xhafa jeton dhe vepron në Nju-Jork që nga viti 2000. Ai ka përfunduar Akademinë e Arteve të Bukura në Firence të Italisë dhe gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në ekspozita të rëndësishme ndërkombëtare dhe është vlerësuar me çmime në Itali, Zvicër dhe Shqipëri.
Xhafa ka zhvilluar gjithashtu veprimtari akademike dhe punëtori në institucione të ndryshme të artit në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Itali, Suedi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kubë dhe Afganistan, përcjell KultPlus.
Vepra e tij është prezantuar në qindra ekspozita individuale dhe kolektive në institucione të njohura artistike dhe akademike në mbarë botën. Praktika e tij artistike shpesh ndërthur artin bashkëkohor me çështje sociale, politike dhe historike, duke sfiduar realitetin dhe duke nxitur reflektim mbi të.
Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zënë temat që lidhen me përvojën shqiptare dhe Kosovën. Në vitin 1997, në Bienalen e Venecias, Xhafa prezantoi performancën “Pavijoni Klandestin Shqiptar”, përmes së cilës trajtoi politikat e vendeve perëndimore ndaj emigrantëve.
Dy dekada më vonë, në vitin 2017, ai përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias me veprën “Lost and Found”. Instalacioni përbëhej nga një kabinë prej druri dhe një telefon që nuk cingërronte kurrë, si simbol i të pagjeturve të luftës në Kosovë.
Angazhimi i Sislej Xhafës në Universitetin e Prishtinës pritet të kontribuojë në pasurimin e përvojës akademike dhe artistike të Fakultetit të Arteve, duke sjellë në auditor përvojën e një artisti me karrierë të konsoliduar në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor.
Sipas Universitetit të Prishtinës, përfshirja e personaliteteve të njohura në jetën akademike është pjesë e përpjekjeve për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, kërkimit dhe pranisë ndërkombëtare të institucionit. Në më pak se një vit, UP-ja ka hapur 157 vende të reja pune për personelin akademik./KultPlus.com