Rritja vjetore e depozitave ka arritur në nivelin prej 7.1 për qind, ndërsa rritja e kredive prej 9.3 për qind, që është një prej kontribuuesve kryesorë në rritjen ekonomike të vendit. Në vitin 2015 vlera e kredive ishte 2.02 miliardë euro, ndërsa në fund të tremujorit të dytë vlera e kredive ishte 2,1 miliardë euro.
Sistemi bankarë në Kosovë është mjaftë i qëndrueshëm për t’u mbijetuar goditjeve të rënda financiare. Kështu u vlerësuar në konferencën me temën “Siguria e depozitave në Kosovë – Ndikimi i FSDK-së në stabilitetin e sistemit bankar“ të organizuar Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale- STRAS.
Sipas raportit gjatë vitit 2015 u shënua rritje e lehtë ekonomike me vetëm 1.2 për qind, ndërsa produkti i përgjithshëm vendor u rrit 3.8 për qind. Parashihet që në vitin 2016 rritja ekonomike të jetë 4 për qind.
“Rritja ekonomike dukshëm më e madhe se në vitet e mëhershme ishte e nxitur edhe nga intensifikimi i aktivitetit në sektorin bankar, posaçërisht në kreditimin e ndërmarrjeve. BQK parasheh se në vitin 2016 konsumi, investimet – posaçërisht ato të huajat pritet të kenë rritje të konsiderueshme dhe të kenë kontributin kryesor në rritjen e BPV-së. Eksportet neto pritet të të vazhdojnë të kenë ndikim negativ në këtë rritje”, thuhet në raport.
Bedri Hamza, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tha se bankat në vendin tonë vazhdojnë të reflektojnë shëndetshëm në qëndrueshmëri të fortë financiare.
Ai ka theksuar se rritja vjetore e depozitave, duke iu referuar të dhënave të fundit të gushtit të vitit 2016, është në nivel prej 7.1 për qind, ndërsa rritja e kredive prej 9.3 për qind dhe është një prej kontribuuesve kryesorë në rritjen ekonomike të vendit.
“Shkalla e kënaqshme e adekuatshmërisë e kapitalit që është larg kërkesave rregullative me 18.2 për qind dhe e likuiditetit për shëndetshmërinë e portofolios kreditore tregon edhe shkalla e kredive jopërformuese që është në nivel prej 5.1 për qind dhe është një perfeksionim adekuat i kredive joperformuese me 121.5 për qind, si dhe ruajtja e raportit të kredive me depozita që është në nivel prej 76 për qind. Të gjitha këto ilustrojnë në mënyrë të matshme profilin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm të sistemit bankar në Kosovë”, ka thënë Hamza.
Ndërsa, ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se trendi i kredive po rritet vazhdimisht dhe jo vetëm në terma fizik, por edhe po përmirësohet struktura e kredive. Ai theksoi se më shumë kredi po shkojnë nga sektorët që janë më produktiv që kanë më shumë vlerë të shtuar në ekonomi, duke ua lehtësuar barrën në financimin dhe investimet kapitale në ekonomi.
“Besoj se me përmirësimin e vazhdueshëm që po ndodhë në sistemin e drejtësisë, bankat komerciale dhe të mbështetura nga BQK do kenë qasje më të relaksuar karshi dhënies së kredive. Ka një siguri më të madhe në kthimin e kredive dhe në këtë drejtim pres që të përmirësohet situata më shumë sa i përket lëshimit të kredive”, tha Hoti.
Ndërsa, Ibrahim Rexhepi drejtor menaxhues i STRAS-it gjatë prezantimit të studimit dhe të gjeturave, theksoi se bankat në depozita kanë mbi 2.7 miliardë euro, ndërsa kanë kredituar me mbi 2.0 miliardë euro.
Këto shifra ai tha se tregojnë se financimi i sistemit bankar kryesisht është i bazuar nga burimet e brendshme, apo nga paratë që deponojnë, ose i kursejnë qytetarët dhe subjektet juridike në vend.
“Nuk mund të ketë stabilitet dhe qëndrueshme të sistemit bankar në asnjë vend, nëse nuk ka siguri për depozita. Jemi dëshmitar për zhvillimet jo aq të largëta në disa vende të Evropës, kur depozituesit me të madhe filluan t’i tërheqin paratë e tyre nga bankat, për shkak se kishin humbur besimin ndaj tyre. Për këtë arsye ndërtimi i sistemit të sigurimit të depozitave është i domosdoshëm dhe është një prej direktivave të Bashkimit Evropian”.
“Ndonëse me një përvojë të shkurtër, Kosova ka ndërtuar sistemin për siguri dhe stabilitet në sistemin bankar, i cili bazohet në katër shtylla kryesore: ligjet dhe aktet nënligjore, mbikëqyrja nga Banka Qendrore e Kosovës, sistemi i kontrollit të brendshëm në bankat komerciale dhe sigurimi që bëhet përmes Fondit për Sigurimin e Depozitave. Funksionimi i këtij mekanizmi rrit besueshmërinë e qytetarëve dhe të subjekteve ekonomike ndaj bankave”, tha Rexhepi.
Në vazhdim ai shtoi se FSDK-ja ka një përvojë pesëvjeçare dhe deri më tani ka arritur të sigurojë afër 500 milionë euro depozita, ose 18.7 për qind nga totali, përkatësisht 97.08 për qind në llogarive depozituese. Në fond janë afër 27 milionë euro, të cilat mund të përdoren në rast të paraqitjes së rrezikut, apo nëse ndonjë bankë humb licencën.
“Fondi duhet të synoj përmbushjen e kritereve që dalin nga Direktiva Evropiane. Ndonëse duket se është larg këtij synimi, mirëpo këtë nuk duhet parë vetëm përmes limiteve që kërkon ajo, por edhe nga ndërtimi i një sistemi që rrit sigurinë e depozituesve”, shtoi Rexhepi.
Në fillim limiti i depozitave të siguruar ishte 2 000 euro, nga viti 2013 ai u ngrit në 3 000 euro, nga vitit 2016 në 4 000 euro, kurse në vitin 2018 ai shkon në 5 000 euro.