Situata në veri: Një qytetar vendosi të falënderonte NATO-n e UÇK-në, “trazohet” KFOR-i

Prishtinë | 19 Qer 2023 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Situata në veri të Kosovës duket se po afekton jetën edhe në pjesët tjera të vendit. Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur së fundi në Deçan, pas vendosjes së një panoje në të cilën përkrahej UÇK-ja e përkrahej NATO-ja. Kjo nxiti reagim edhe nga KFOR-i, komuna, inspektorati etj. Çka saktësisht ndodhi?

Një qytetar me emrin Kastriot Hulaj kishte vendosur dy pano në rrugën “Agim Kukleci” buzë magjistrales Deçan – Pejë, në fshatin Isniq.

Në ato pano shkruhej “Falemnderit – UÇK” derisa ishin vendosur krah njëra tjetrës logoja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ajo e NATO-s.

Hulaj i kontaktuar nga Nacionale ka thënë se panot i ka vendosur me vullnet të tij, duke dashur të falënderonte NATO-n dhe UÇK-në për çlirimin e Kosovës. Panoja ishte vendosur sot, më 19 qershor, por ishte planifikuar – siç na tha ai – të vendosej më 16 qershor kur ishte dita e çlirimit të Deçanit. Kjo nuk kishte ndodhur pasi ishte vonuar kompania e kontraktuar për ta bërë një gjë të tillë.

Por, kjo e kishte shqetësuar thellë KFOR-in që e kishte kontaktuar menjëherë qytetarin.

“Më thirri një person, u lajmëru si përkthyes i KFOR-it, më tha që është mirë me e heqë pjesën ku është logoja e NATO-s shkaku i situatës në veri.” – na tha Hulaj.

Më pas, ai ishte takuar edhe me një komandant të NATO-s që kishte qenë edhe te vendi ku ndodhej panoja.

Pse e gjithë kjo rrëmujë?

Hulaj shprehet se arsyeja ishte situata në veri, dhe kjo na u konfirmua më pas edhe nga ana e kryetarit të komunës së Deçanit.

Kastriot Hulaj thotë se pas kërkesës së bërë nga komandanti i KFOR-it ka nisur heqjen e logos së NATO-s nga panoja por më pas gjërat shkuan duke u përkeqësuar dhe atij i ishte kërkuar që ta hiqte krejtësisht panon.

Të ngjashme