Situata në veri pengoi zbatimin e Marrëveshjes në Drejtësi

Prishtinë | 22 Shk 2017 | 13:00 | Nga Kaltrina Zymberi

Marrëveshja në fushën e drejtësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dashur që të zbatohet që nga 10 janari. Por, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në raportimin para Komisionit parlamentar për Legjislacion, ka thënë se kjo marrëveshje është vonuar si pasojë e tensioneve gjatë dy muajve të fundit në veri.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se roli i MD-së në zbatimin e marrëveshjeve për funksionalizimin e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial në tërë territorin e Republikës së Kosovës është i kufizuar.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka organizuar sot dëgjim publik në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve për funksionalizimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kryenegociatorja Edita ka shpjeguar se Marrëveshja për Drejtësinë është derivat i marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, ku “thuhet qartë që në komunat veriore duhet të vendoset ligji dhe strukturat paralele duhet të shuhen”.

Sipas saj, falë dialogut ka filluar integrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë. “Marrëveshja e Drejtësisë buron nga ligjet e Kosovës dhe sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës, kryetari do të jetë serb dhe nënkryetari i kësaj gjykatë do të jetë shqiptar”.

Ajo ka përmendur edhe integrimin e policisë, mbrojtjen civile që sipas Tahirit, ka qenë strukturë paramilitare. Tahiri ka shtuar se rekrutimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë në bazë të ligjeve të Kosovës, ndërsa para deputetëve ka sqaruar detaje teknike të organizimit logjistik të sistemit të drejtësisë në veri, në bazë të marrëveshjes së Brukselit.

Hoxha paralajmëron pako me ligje për sjelljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tha se roli i Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces ka qenë dhe është i kufizuar për faktin se i dedikohet para së gjithash sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, institucione këto të pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Ministrja Hoxha theksoi se roli i Ministrisë së Drejtësisë është në drejtim të organizimit të provimit të Jurisprudencës për të gjithë  qytetarët e Republikës së Kosovës që i plotësojnë kushtet, në pajtim me afatet e përcaktuara me Ligjin për dhënien e provimit të Jurisprudencës. Po ashtu, Ministrja Hoxha bëri të ditur angazhimin intensiv me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së nevojshme ligjore.

“Krahas kësaj, shpreh përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë që në pajtim me përgjegjësitë, do të jemi të  gatshëm për të dhënë kontributin tonë në drejtim të ofrimit të kushteve sa më të mira për integrimin e këtij komuniteti në sistemin tonë të drejtësisë gjithnjë në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, theksoi Ministrja Hoxha.

Në afatin e fundit, nga gjithsej 97 kandidatë sa e kanë kaluar provimin e jurisprudencës, 9 prej tyre janë të komunitetit serb, kurse në afatin e parafundit kanë kaluar 6 kandidatë të këtij komuniteti, sipas kushteve dhe trajtimit të barabartë me të gjithë kandidatët tjerë.

Gjithashtu ka paralajmëruar se në Kuvendin e Kosovës do të sjellin një pako me ligje për sjelljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Ne si ministri nuk kemi kompetenca për vendosjen e objekteve as të gjykatave dhe prokurorisë, por ajo që mund të them është se në kuvend do të sjellim një pako të ligjeve për gjyqtarë dhe prokurorë të cilat kanë të bëjnë edhe për standardet e Prokurorisë Speciale”, është shprehur Hoxha.

Të ngjashme