S’ka bazë juridike për dialogim dhe dërgim të “Trepçës” në arbitrazh

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Deklarata e Maja Kocijançiqit, zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, se për “Trepçën” do të diskutohet në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka ngjallur reagime te përfaqësuesit e institucioneve dhe njohësit e fushës së ekonomisë, të cilët kanë theksuar se për pasuritë e Republikës së Kosovës nuk duhet të diskutohet me Serbinë në Bruksel.

Kjo deklaratë e saj dhe mundësia e dërgimit të “Trepçës” në arbitrazh erdhën menjëherë pas miratimit të statutit të “Trepçës” në Kuvendin Kosovës, përmes të cilit është hapur rruga që njësitë thelbësore të kësaj ndërmarrje, që ishte nën menaxhimin e AKP-së, të regjistrohen si pjesë të shoqërisë aksionare “Trepça”. Aksionar kryesor i ndërmarrjes së re është Qeveria e Kosovës, ndërkaq 20 për qind të aksioneve u takojnë punëtorëve.

Një pjesë e njësive të “Trepçës” që ndodhen në pjesën e veriut të banuar me serbë të Kosovës, Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se nuk do t’i kthehet dialogut pa shfuqizimin e statutit të kësaj ndërmarrje. Rikujtojmë se edhe pas miratimit të Ligjit për “Trepçën” në vitin 2016 pati reagime nga disa firma të Serbisë si “Železnice Srbije” (Hekurudhat e Serbisë) dhe “Tigar” i Pirotit, si dhe “Elektrokosmet” dhe EPS. Këto firma pretendonin se “Trepça” ua ka borxh 300 milionë euro dhe për këtë arsye, sipas tyre, Ligjin për “Trepçën” do ta dërgojnë në Gjykatën e Arbitrazhit, ndërsa pas kësaj edhe në Odën Tregtare Ndërkombëtare në Paris.

Lidhur me këtë çështje ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në të drejtën ndërkombëtare nuk negociohet e as dialogohet për pronësinë territoriale.

“Nuk mund të dërgohet në arbitrazh se kujt i takon ‘Trepça’. Në të drejtën ndërkombëtare ne themi ‘kur të vendosën kufijtë atëherë konsiderohet që pjesët që janë të lidhura me territorin në mënyrë automatike bëhen pronë e shtetit të ri, shtetit të sapokrijuar’. Që nënkupton se minierat, fabrikat, rrugët, bjeshkët, malet etj.. nuk mund të jenë subjekt i negocimit. Ato janë të lidhura me territorin dhe janë automatikisht pjesë e qeverisjes së vendit”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkaq sa iu përket aseteve të “Trepçës”, si depo, lokale, zyra, pushimore e njësi prodhuese që pretendohet se janë jashtë territorit të Kosovës, ku thuhet se janë 17 astete të tilla që gjiganti metalurgjik i ka kryesisht nëpër vendet e rajonit, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se astetet jashtë territorit të Kosovës mund të jenë subjekt negocimi me republika përkatëse, por assesi “Trepça” që  i përket territorit të Kosovës.

Edhe profesori i së drejtës evropiane, Emrush Ujkani, ka thënë se pretendimet e palës serbe që “Trepça” të dërgohet në arbitrazh nuk kanë asnjë bazë ligjore. “Mendoj se nuk ka kurrfarë baze juridike që një çështje që i përket territorit të Kosovës të dërgohet në arbitrazh”, u shpreh Ujkani. Sipas tij, në qoftë se “Trepça” shkon në Gjykatën e Arbitrazhit atëherë mund të shkojë edhe krejt Kosova. “Në qoftë se do të shkonte ‘Trepça’ në arbitrazh atëherë do të duhej të shkojë krejt Kosova në arbitrazh. Pra, i tërë territori i Kosovës. Prandaj është e pakuptimtë të pretendohet një gjë e tillë”, ka deklaruar Ujkani.

Kurse sa iu përket aseteve të “Trepçës” në tërë territorin e ish-Jugosllavisë, ai ka thënë se duhet të ketë pajtim në mes shtetesh për këtë çështje. “Pretendimeve që ‘Trepça’ ka asete nëpër territoret e ish-Jugosllavisë duhet të dakordohemi dhe të arrihet marrëveshje mes shteteve përkatëse me republikat përkatëse. Mbi bazën e një marrëveshje duhet të dihet se kush është trashëgues i aseteve, mirëpo nëse flasim për ‘Trepçën’ në territorin e Kosovës, kjo s’do koment dhe s’duhet të marrë epilog në Gjykatën e Arbitrazhit”, ka deklaruar Ujkani.

Ndërsa Shyqri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në “Trepçë”, i cili njëkohësisht është edhe anëtar bordi i kësaj ndërmarrje, ka thënë se assesi s’do të lejojnë që “Trepça” të dërgohet në arbitrazh, duke ritheksuar se në rast se një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë do të cenohet sovraniteti i shtetit. Ai ka paralajmëruar se mund të ketë eskalim të situatës dhe përsëritje të grevave dhe protestave sikurse në vitin 1989. “Në asnjë variant nuk mundet që ‘Trepça’ të diskutohet në Bruksel. Nëse veç një gjë e tillë mendohet, atëherë besoj se do të ketë trazira, greva dhe protesta në Prishtinë. Nëse bisedohet për ‘Trepçën’ në Bruksel apo dhe të dërgohet në arbitrazh, atëherë cenohet sovraniteti i vendit. Prandaj mund të them se ne jemi të gatshëm në çdo formë dhe mënyrë ta mbrojmë pronën që na takon. Gjithashtu, nuk e përjashtojmë mundësinë që ta përsërisim situatën e njëjtë si në vitin 1989, pra që të fillojmë me greva dhe protesta, ku edhe mund të eskalojë situata”, ka thënë Sadiku.

Gazeta ka provuar që të marrë edhe një qëndrim të shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë rreth paralajmërimeve se çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, mirëpo në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë është theksuar “që të kontaktohet me zyrën në Bruksel”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme