Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama një ditë pas Konferencës së Donatorëve në Bruksel, ku për Shqipërinë u mblodh një fond prej 1.15 miliard euro për rindërtimin, ka inspektuar zonën e plazhit në Durrës.
Rama pa nga afër ecurinë e punimeve për riparimin e godinave të banimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit të shkuar.
I shoqëruar nga zv/kryetari i Bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj dhe nga zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, Kryeministri inspektoi një nga godinat ku ka nisur meremetimi.
Sipas Varfajt, për meremetimin po punohet “në dy fronte, në ambientet e jashtme të godinës dhe apartamente”, por nënvizoi ai, problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore.
“Ky është problemi kryesor që nuk e keni vetëm ju. Duan punë, por kur vjen puna për punë, jo vetën që duan punë shteti, por, edhe kur i thua kualifikohuni, jo të gjithë janë gati. Megjithatë, ne e kemi kaluar ligjin tani, për të lehtësuar maksimalisht sjelljen e fuqisë punëtore nga jashtë. Sado absurde që duket, ky është fakti dhe nuk është vetëm tek ne, është dhe në rajon”, u shpreh Rama, transmeton Euronews.al
Faza e parë e rindërtimit mundëson rikthimin e të prekurve nga tërmeti në 1859 apartamente, deri në fund të muajit mars, në godinat e pabanueshme ku nevojitet vetëm meremetim.