Lufta Rusi-Ukrainë është në pikën e vlimit, pasi SHBA-ja paralajmëroi se Vladimir Putin mund të urdhërojë çdo moment ushtrinë ruse që të fillojë sulmin ndaj Ukrainës.
Presidenti rus Putin prej kohësh ka vënë në dispozicion mbi 100 mijë trupa ushtarake përreth kufirit me Ukrainën duke shfrytëzuar edhe rajonet që kontrollohen nga seperatistët rusë dhe Bjellorusinë e Lukashenkos që është aleat i Putinit.
Një grafikë e agjencisë së lajmeve Reuters shfaq hartën se nga cilat fronte mund të sulmojë Rusia, transmeton Gazeta Express.
Skenar i sulmit nga lindja
Rusia mund ta pushtojë dhe të marrë nën kontroll gjithë territorin e Ukrainës në lindje të lumit Dnjepër duke pretenduar pjesën industriale të lindjes së Ukrainës, por duke e lënë vendin në një “gjendje ekonomikisht të qëndrueshme” sipas CSIS.
Fronti verior do të avanconte në Kiev, ndoshta përmes Bjellorusisë nëse Minsku hap rrjetin e rrugëve dhe të hekurudhave për ushtrinë ruse.
Fronti qendror do të avanconte përmes tri rrugëve, ndoshta përmes Donetskut të kontrolluar nga rebelët.
Fronti jugor do të avanconte përmes Isthmusit të Perekopit drejt Khersonit, burimi i ujit të Krimesë.
Skenar i sulmit nga perëndimi
Nëse Rusia është e suksesshme në lindje dhe morali në vend është ende i lartë, trupat e saj mund të kalojnë lumin Dnieper dhe të marshojnë në perëndim përmes peizazhit relativisht rural. Përgjatë Detit të Zi, forcat ruse do të duhet gjithashtu të kapin Odessan dhe objektet e saj portuale – çelësi për një pushtim në shkallë të plotë.
Skenari i kontrollit të detit
Përndryshe, Rusia mund të shmangë rezistencën e vendosur në zonat kryesore urbane të Ukrainës duke sulmuar përgjatë Detit të Zi. Marrja e Odesës do të ndërpresë aksesin e Ukrainës në det dhe në tregjet ndërkombëtare dhe do të rriste ndikimin e Rusisë në tregtinë në Detin e Zi.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan të premten se Rusia tashmë ka numër të mjaftueshëm të ushtarëve për sulm ndaj Ukrainës dhe se një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti.
ShBA-ja, Britania dhe disa vende të tjera u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen sa më shpejt nga Ukraina nga frika për një sulm të mundshëm rus.
Sidoqoftë, Rusia ka mohuar se ka plane për ta sulmuar shtetin fqinj dhe i ka akuzuar vendet e mediet perëndimore për përhapje të një “fushate dezinformimi” me qëllim të “devijimit të vëmendjes nga veprimet e tyre agresive”.