“S’kish më vështirë se me pa evladin me zorrë jashtë”, rrëfimi i nënës për djalin që forcat serbe ia vranë para syve

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Malush Ahmetit, mjeshtrit që bënte armë në një punëtori ku punonte me metal dhe ku e rregullonte motorin e tij edhe heroi Adem Jashari, së pari iu sulmua familja, iu vra i biri shtatëvjeçar nga forcat serbe, nga granata edhe vajza u dëmtua në të dyja këmbët.

Me duart e saj mblodhi zorrët e të birit dhe ia afroi te barku, pasi granata e forcave serbe shpërtheu në oborrin e shtëpisë së tyre dhe copat e saj ranë mbi fëmijët e nënës Shukrie Ahmeti, nga Rrezalla e Skenderajt, gruas së Malushit, dëshmorit të Kosovës.

Shumë fëmijë u vranë dhe u gjymtuan atë ditë në Rrezallë nga artileria e forcave policore e ushtarake serbe.

23 vjet pas kësaj ngjarjeje nënë Shukrija ngushëllohet me nipin, që ia ka përtërirë emrin e djalit të vrarë Leotrimit, atëherë shtatë vjeç. Te nipi ajo po jetëson dashurinë për të birin e vrarë. Çdo gjë që sheh të mirë, qoftë dhe një bonbone, ajo e ndan për nipin, sikurse do të bënte për të birin.

Nënë Shukrija nuk humbi vetëm Leotrimin, shtatëvjeçar, granata ra mbi dy këmbët e vajzës, ndërsa bashkëshorti iu vra.

Nënë Shukrija thotë se askush nuk është dënuar për krimin ndaj familjes së saj dhe të tjerëve, të vrarë në lagje.

Sulmi mbi civilët në Rrezallë në nëntor të vitit 1998 është i freskët në kujtimet e saj.

“Granata ka rënë në oborr, një granatë e ka rrok djalin në bark, çika (Fatmirja), duke më thënë hajde nanë dalim, goditet nga granata në të dyja këmbët dhe ende i ka copëzat e granatës në këmbë, një vajzë pesë vjeçare e familjes së gjerë, Vjollca, ka vdekur në oborrin tonë, pasi i ka ra granata. Një granatë tjetër ka rënë në oborrin e kunatit dhe djalit të kunatit ia ka dëmtuar fytyrën”, rrëfen ajo për Zërin.

Image

Nënë Shukrija thotë se ende i ka të freskëta britmat e djalit prej dhimbjes së çarjes së barkut.

“Isha në një situatë që nuk dija çfarë të bëja, në njërën anë djali me barkun e çarë, në anën tjetër vajza, e cila nuk mund të ecte dhe në anën tjetër djali i kunatit me dëmtime të rënda në fytyrë dhe me pjesën e nofullës së hequr. Nuk e di kush na ka marrë dhe larguar. Rrugës duke u larguar më mbetën djemtë e tjerë dhe koka më mbeti pas. Leotrimi më ka thirrë: ‘Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmut prej barku’, kur ja kam hjek teshat ia kam parë se ju kish qky barku dhe i kishin ra zorrët, ja kam qit xhemperin me ia mbulu, më ka thënë ‘ma nanë, mos um prek, se po më dhem shumë’”, thotë nënë Shukrija.

“Qashtu brimë – piskamë, me pa evladin s’kish ma shtirë me zorrë të rame, mendtë kishin rrajë”, tregon ajo, derisa lotët ia mbulojnë fytyrën, sado që mundohet të tregohet e fortë.

Më pas ajo rrëfen se si djalin ashtu me bark të shpuar e kishte dërguar në spitalin që ndodhej në Likovc.

“Prej aty na kanë dërguar ne Gradicë, ku ka qenë spitali ushtarak. Në Gradicë pas dhënies së ndihmës mjekësore djali nuk arriti të jetonte më shumë se tri orë, edhe çika e djali i kunatit kanë qenë aty në spital. Djalin e kemi varros në Gradicë, se nuk kemi mundur ta sjellim në Rezallë për ta varrosur”.

Sikur të mos mjaftonin këto plagë, nënë Shukrija mori lajmin edhe për vdekjen e bashkëshortit të saj Malushit.

“Shumë e vështirë marrja e lajmit për vdekjen e burrit pas vdekjes së djalit.

Djali, Bahriu, më ka thënë: ‘Nanë, banu e fortë’, i thashë ‘po, se ju kam juve, se mu dhimbshin djemtë se ai shkoj, qa me bo, zor boll, ranë boll…”.

Jo shumë kohë më pas, ajo thotë se do t’ia minonin shtëpinë.

“Mbetëm të shpërndamë, ku të bëjmë vend, tani jemi ardhë këtu në Skenderaj; skamje, babai ju vra, vëllai ju vra, shpia u minu, s’kishim ku me shku”.

Nënë Shukrija rrëfen se emrin e Leotrimit e mban djali i djalit të dytë, ndërsa emrin e bashkëshortit e mban djali i djalit të madh.

Pranë saj qëndron i biri Bahriu, por as për të nuk është i lehtë rikthimi në kujtesë i atyre ditëve. Ai rrëfen momentin kur ia kanë vrarë babanë e të cilin nuk arritën ta varrosin po atë ditë.

“Nuk kemi mundur ta varrosim deri të nesërmen, sepse forcat serbe na e kanë pamundësuar këtë gjë, pasi e kanë pa se është duke u hap një varr, ata identifikuan vendin të cilin filluan ta granatonin.

Deri të nesërmen trupin e babait e kemi larguar pak më poshtë nga vendi ku ai ra heroikisht, e mbuluam me disa qebe dhe llastik”.

Pas mbarimit të luftës bashkëluftëtarët, me nderime ushtarake, trupin e dëshmorit e varrosin në varrezat e dëshmorëve të fshatit Rezallë. Gjithashtu shkolla e fshatit Rezallë dhe një rrugë mbajnë emrin e dëshmorit të kombit, Malush Ahmeti.

Po ashtu Bahriu tregon se babai i tij ka pasur një punëtori, në të cilën punonte me metal, ku ka punuar edhe disa armë, por pastaj serbët e zbuluan këtë dhe ia morën të gjitha mjetet e punës.

“Kur kanë ardhur serbët babai nuk ka qenë në shtëpi e as unë, vetëm fëmijët e tjerë. I kanë dhënë afat babait deri të nesërmen, në orën 08:00, që të lajmërohet, nëse jo e kanë kërcënuar se do t’ia marrin pjesëtarët e familjes në stacionin e tyre. Baba është lajmëruar dhe e kanë burgos në Mitrovicë për një kohë dhe pas një kohe ka dalë nga burgu me kusht”.

Bahriu tregon se babai i tij ka qenë mjeshtër i motorit të Adem Jasharit dhe se për çdo problem Ademi e ka dërguar tek ata motorin për ta rregulluar.

Për vëllain e tij, Bahariu tregon se e kanë zhvarrosur nga Gradica dhe e kanë rivarrosur në Rrezallë.

“Pas disa javësh e kemi rivarrosur, sepse këtë na e kërkoi babai, i cili e kishte parë në ëndërr dhe na tha se Leotrimin e vogël e kishte parë në ëndërr duke i thënë: ‘hajde më merr ku më ke lan, baba’”.

Mbi 1000 fëmijë janë vrarë në luftën e Kosovës dhe 109 rezultojnë ende të zhdukur, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.


Të ngjashme