E mërkura ka qenë ditë e zakonshme pune për kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi.
Ish-komandanti i Batalionit të 3-të të Brigadës 124 të UÇK-së, thotë se nuk do të japë dorëheqje nga posti i të parit të komunës, ashtu siç bëri kryetari i partisë së tij, Ramush Haradinaj, pasi u ftua për intervistim nga Specialja, raporton KTV.
Megjithëse nuk e di saktë se në çfarë cilësie është ftuar, Latifi insiston se nuk largohet nga pozita e kryetarit sepse, sipas ftesës, atij i është kërkuar të sillen dëshmi para Prokurorisë së Specializuar, për Kosovën.
Latifi duhet të paraqitet në Hagë më 30 tetor.
Zyrtari i AAK-së thotë se është i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, andaj edhe do t’i përgjigjet ftesës duke u treguar hetuesve dëshmitë për krimet e bëra nga Serbia.
Sipas tij, secili pjesëtar i UÇK-së ka zhvilluar luftë të pastër dhe thotë se kjo gjykatë, të cilën e quan të padrejtë dhe të manipuluar, nuk mund të vendosë drejtësi.
Përveç Smajl Latifit, ftesë nga Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka marrë edhe Milaim Latifi, ish-ushtar i UÇK-së dhe epror i TMK-së.
Gjykata Speciale në Hagë, deri më tash, ka ftuar për intervistim mbi 100 persona në cilësinë e të dyshuarve, por edhe dëshmitarëve, megjithëse ende zyrtarisht nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.