Wesley Sneijder beson se Interi mund t’i “dërgojë një mesazh botës” në përballjet ndaj Napolit dhe Real Madridit, por këmbëngul se vetëm një lojtar aktual “ndoshta” do ta kishte gjetur vendin në skuadrën që fitoi tripletën në vitin 2010.
Ish-mesfushori foli për gazetarët teksa mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga një sponsor dhe në mënyrë të pashmangshme u pyet për sfidat e ardhshme të ish-klubit të tij.
Ato përfshijnë ndeshjen ndaj Napolit në Serie A në “San Siro”, e më pas udhëtimin për t’u përballur me Real Madridin e Jose Mourinhos në Champions.
“Përballja me Napolin të lejon të përgatitesh më mirë për Champions League, pasi lojtarët e dinë se duhet të jenë në 100 për qind”, u tha Sneijder gazetarëve.
“Interi mund t’i dërgojë një mesazh botës. Duke mposhtur Napolin dhe duke marrë një rezultat ndaj Real Madridit, ata do ta shpallnin kandidaturën e tyre për të arritur në finalen e Championsit dhe për të fituar Scudetton”, shtoi ai.
Sneijder ishte pjesë e skuadrës së vitit 2010 që fitoi tripletën nën drejtimin e Mourinhos, së bashku me trajnerin aktual të Nerazzurrëve, Cristian Chivu.
“Ai iu bashkua Ajaxit në moshën 20-vjeçare dhe menjëherë u bë kapiten, ndërsa tek Interi ndanim dhomën dhe ai fliste vetëm për futboll, ishte mjaft i mërzitshëm”, shpjegoi holandezi.
“Gjithmonë e kam ditur se ai do të bëhej një trajner i madh, madje që atëherë ai thoshte se kjo ishte ajo që dëshironte të bënte si profesion. Ai tashmë kishte kaluar disa momente të vështira, por pas dy ose tre muajsh, skuadra me të vërtetë filloi të rritej.”
Interi fitoi dy trofe në sezonin e kaluar, Scudetton dhe Coppa Italian, por Sneijder nuk dëshiron të bëjë krahasime me skuadrën e vitit 2010.
“Skuadra aktuale nuk ka asgjë të përbashkët me ekipin që fitoi tripletën, atëherë ne vërtet i kishim të gjitha, ishte një skuadër që nuk mund të përsëritet. Asnjë lojtar i skuadrës aktuale nuk do të gjente vend në ekipin e vitit 2010. Epo, ndoshta Lautaro Martinez”, tha ai.
Kjo ndeshje e Championsit në “Bernabeu” do të jetë gjithashtu një ribashkim me Denzel Dumfries, i cili këtë verë u transferua nga Interi te Real Madridi.
“Kur të telefonon realRMadridi, ti shkon. Tani ai duhet të bëjë më mirë sesa te Interi, sepse Reali është një klub më i madh”, u përgjigj Sneijder.
“Ka shumë presion mbi skuadrën, por Dumfries ka cilësi dhe nëse ai ka arritur në atë nivel, kjo është edhe falë Interit”, e mbylli ai.