Sogojeva: Pakoja prej 200 milionë eurosh po duket si fushatë, kërkohet trajtim i barabartë për sektorin privat

Prishtinë | 18 Pri 2026 | 09:00 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK), Hysen Sogojeva, ka kritikuar pakon e re financiare prej rreth 200 milionë eurosh të paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se ajo po perceptohet si veprim me motive elektorale dhe jo si zgjidhje e qëndrueshme për krizën e çmimeve, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se ndërhyrjet e tilla është dashur të ndodhin më herët dhe jo në këtë fazë.

“Shiko, nëse e krahasojmë katër-pesë vitet e fundit, çdo herë është dashur me intervenuar qeveria për shkak të rritjes së çmimeve. Çdo herë është dashur me intervenuar si për me mund me zbut pak rritjen e çmimeve. Kurse kjo për ne personalisht po them, kjo po kuptohet si një lloj fushate. Pse kjo nuk ndodhi më herët? U dasht më herët para se me i pasë këto rritjet e fundit. Bile bile edhe me këto rritjet e fundit, edhe pse prapë po intervenon me 200 milionë, kjo prapë është pak se kemi rritje enorme në krahasim, krahasim para katër-pesë viteve ose tre-katër viteve”, tha ai.

Sogojeva shtoi se koha e shpalljes së kësaj pakoje ka ndikuar në perceptimin e saj si masë politike.

“Si fushatë. Do të thotë po kuptohet si fushatë. Me pasë qenë më herët, ndoshta ishte kuptuar pak më në mënyrë objektive, ndërsa sot në këto rrethana se a ka zgjedhje apo nuk ka zgjedhje, po shohim po del që është një lloj fushate”, tha ai.

Ai ngriti shqetësimin edhe për trajtimin e pabarabartë të sektorit privat, duke përmendur çështjen e pagës së 13-të.

“Po këtë zhvillim të turizmit që e kemi është falë sektorit privat. Meqenëse e kemi këtë, edhe mos të respektohet që edhe për punëtorët e sektorit privat mos të respektohet kjo paga e 13-të, do të thotë kjo është veç për keqardhje. Prandaj ne reagojmë ndaj kësaj, do të thotë, për arsye se kur ata publik e kanë fituar, edhe punën që e bëjnë në publik, po të garantoj do të thotë shumë më pak e bëjnë se sa ky sektori privat. Në vend që të stimulohen, përkundrazi ata janë të dëmtuar. Prandaj apelojmë që kjo punë të rregullohet edhe sikur në sektorin publik”, tha ai.

Sipas tij, ndonëse ka pasur përmirësime në paga në sektorin privat, rritja e kostos së jetesës mbetet sfidë serioze.

“Ka qenë për më herët ka qenë një disproporcion mes, të themi ashtu, pronarëve dhe punëtorëve. Megjithatë kjo ka filluar të rregullohet sepse edhe në sektorin privat të gjithë ata që punojnë sektorin privat tash i kanë pagat më të mira në krahasim me disa vite më parë. Kështu që kjo duhet të harmonizohet. Do të thotë edhe punëtori tash duhet me pa që duhet me punu për me fitu atë pagë që po don me pasë, po edhe pronari duhet me pasë parasysh që nuk ka rroga të vogla apo paga të vogla, për arsye se kushtet e jetesës janë rritur, do të thotë shtrenjtime të mëdha. Ju po nëse e krahasojmë vetëm këto pesë vitet e fundit kemi gati 100-120% rritje të produkteve bazë, prandaj edhe kjo do të thotë ka filluar me u harmonizu, megjithatë duhet rregulluar edhe më mirë”, tha ai.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se qeveria është duke përgatitur një paketë të re financiare për të përballuar rritjen e inflacionit dhe për të zbutur ndikimin e krizës ekonomike tek qytetarët.

Të ngjashme