Sot hapet panairi i librit

| 23 Qer 2016 | 13:07 | Nga

Sot fillon Panairi i 18-të i Librit i cili do të zgjasë deri me 12 qershor. Panairi do të hapet në ora 18:00 dhe mbahet në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, ndërsa do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga ora 9 deri 20.

Numri i titujve të rinj në panair do të jetë rreth 1 200, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit, rreth 4 500.

Në Panair do të ketë shumë aktivitet, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore:

  • 450-vjetori i lindjes së Pjetër Budit
  • 400-vjetori i vdekjes së Shekspirit
  • 400-vjetori i vdekjes së Servantesit
  • 150-vjetori i lindjes së Ndre Mjedës
  • 150-vjetori i lindjes së Andon Zako Çajupit
  • 100-vjetori i lindjes së Mbretëreshës Geraldinë
  • 100-vjetori i lindjes së Jusuf Vrionit
  • 100-vjetori i lindjes së Esad Mekulit
  • 90-vjetori i lindjes së Kasëm Trebeshinës
  • 80-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë
  • 80-vjetori i lindjes së Rexhep Qosjes
  • 80-vjetori i lindjes së Adem Demaçit

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit.

Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj, ndërsa pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.

Me 9 qershor do të ndahen trofetë e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale në Prozë, Poezi, Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, Përkthim letrar, Projektin kapital si dhe shpallet Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe), Shkrimtari i vitit (letërsi e huaj), Stenda më e vizituar.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 38.000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Të ngjashme