Instituti i Historisë “Ali Hadri” ka promovuar 24 botime shkencore për periudhën prill 2025 – prill 2026, në një aktivitetk ku u prezantuan edhe arritjet kryesore të institutit gjatë kësaj kohe.
Në këtë ngjarje u theksua rëndësia e vazhdimit të kërkimeve shkencore dhe kontributi i studiuesve në ndriçimin e historisë së Kosovës dhe më gjerë, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e Institutit të Historisë, Teuta Shala, tha se ky përvjetor shënon një moment të rëndësishëm për institutin dhe prezantimin e punës së tij shumëvjeçare.
“Kjo ditë përfaqëson jo vetëm një përvjetor, por edhe një moment reflektimi për përkushtimin e brezave të tërë studiuesish dhe për rolin e institutit në ruajtjen, dokumentimin dhe interpretimin e historisë sonë kombëtare. Në këtë përvjetor kemi kënaqësinë të promovojmë 24 botime shkencore të realizuara në periudhën prill 2024 – prill 2026. Këto botime përfshijnë: Tetë monografi, tri përmbledhje me kumtesa, dhjetë vëllime me dokumente, dy përmbledhje me punime dhe revistën shkencore “Kosova”. Tematika e këtyre botimeve shtrihet nga antikiteti deri në vitin 2008. Në mesin e këtyre botimeve që po promovojmë sot, po ndalem shkurt në pesë prej tyre, ndërsa të tjerat do të prezantohen nga recensentët përkatës. Së pari, sot po promovojmë vëllimin e parë të Historisë së Kosovës. Ky botim përfaqëson një përpjekje serioze për të ndërtuar një narrativë të plotë, të argumentuar dhe të mbështetur në burime të shumta. Gjithashtu, një moment i veçantë është promovimi i numrit jubilar, numrit 50 të revistës. Përmes kësaj reviste, instituti ka vënë ndër dekada një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit historiografik dhe në trajtimin e temave me interes të veçantë për historinë tonë. Një rëndësi të veçantë kanë tri përmbledhjet me punime nga konferencat shkencore, të cilat reflektojnë angazhimin tonë në trajtimin e temave me peshë për historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Botimi “Kosova 1989-1999: Organizimi dhe qëndresa për çlirim”, i dalë nga konferenca shkencore e mbajtur më 13 dhe 14 qershor, trajton një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë”, tha ajo.
Ndërkaq, profesori i historisë, i biri i akademikut Ali Hadri, Arbër Hadri vlerësoi lart veprimtarinë shkencore dhe botuese të institutit gjatë kësaj periudhe.
“Veprimtaria shkencore dhe botuese e Institutit të Historisë ‘Ali Hadri’ në Prishtinë, bazuar në kontributin e punonjësve të tij shkencorë dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm, gjatë periudhës 2025-2026, përfaqëson një nga angazhimet më të rëndësishme dhe më produktive kërkimore ndër vite. Brenda një intervali njëvjeçar, Instituti ka arritur të realizojë një volum të konsiderueshëm të veprave shkencore, duke shënuar një kult të ri në zhvillimin e tij institucional dhe në kontributin ndaj historiografisë së Kosovës dhe shqiptare, si dhe më gjerë. Kjo periudhë përmbyll një proces të gjatë dhe të qëndrueshëm pune shumëvjeçare kërkimore-shkencore, e cila është kurorëzuar me rezultate konkrete dhe të mrekullueshme të departamenteve përkatëse të Institutit, të cilat kanë arritur të realizojnë gjithsej 24 tituj shkencorë, duke përfshirë edhe projekte kërkimore-shkencore, të cilat trajtojnë tema me rëndësi të veçantë për historinë kombëtare shqiptare dhe për zhvillimin e historiografisë së Kosovës në mënyrë të veçantë. Këto botime dhe projekte përfaqësojnë një pasurim të dukshëm të fondit shkencor, duke ofruar analiza të thelluara, burime të reja arkivore dhe interpretime bashkëkohore mbi çështje të ndryshme historike”, tha ai.
Gjon Berisha nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, foli në veçanti për njërën vepër, duke thënë se libri nuk mbetet thjesht një përmbledhje emrash, por shndërrohet në një studim të mirëfilltë shkencor.
“Historia arbërore mes jetës dhe vdekjes është një fushë komplekse dhe shumëdimensionale, e ndërlidhur ngushtë me zhvillimet politike, fetare dhe kulturore. Temat si historiografia vendase, ashtu edhe ajo e huaj, janë përqendruar kryesisht në aspektet politike dhe në rezistencën antiosmane të arbërorëve, ndërsa dimensioni kulturor shpesh ka mbetur në hije, duke krijuar një pamje jo të plotë të kësaj periudhe të rëndësishme. Pikërisht në këtë boshllëk, studimi i autorit Zeneli ofron një tablo të qartë dhe të argumentuar të jetës kulturore shqiptare përmes figurave të humanistëve arbërorë. Autori arrin të dëshmojë lidhjet organike ndërmjet rilindjes europiane dhe asaj arbërore, duke vendosur kulturën shqiptare në rrjedhat e mëdha të qytetërimit europian. Përmes analizës së veprave dhe aktivitetit të këtyre humanistëve, libri nuk mbetet thjesht një përmbledhje emrash, por shndërrohet në një studim të mirëfilltë shkencor, të mbështetur në burime arkivore, bibliografike dhe në literaturën relevante”, tha Berisha.

