Azemi: Deklaratat e MINT-it skandaloze, qytetarët të kompensohen për faturim të padrejtë nga KEDS-i

Prishtinë | 15 Pri 2026 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në një konferencë për media ka ngritur akuza ndaj Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe kompanisë KEDS lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë dhe faturimit të energjisë elektrike, duke kërkuar transparencë dhe kompensim për qytetarët e dëmtuar, raporton Ekonomia Online.

Ai e ka cilësuar si skandaloze deklaratën e fundit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë rreth gjobave ndaj KEDS-it, dhe ka theksuar se problemi kryesor nuk po trajtohet.

“Pra, unë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e cilësojmë si skandaloze deklaratën e fundit të ministrisë, për shkak se ata mburren me gjobat të cilat i shqiptojnë ndaj KEDS-it, por janë selektive, pra të manipulueshme dhe nuk e trajtojnë thelbin kryesor të problemit.

Pra, po, le ta gjobisin KEDS-in, madje jo me 1500 euro po me 5000, me gjobën më të lartë, por qëllimi kryesor këtu është me i kompensua qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kanë faturu apadrejtësisht duke i manipulua njehsorët elektrikë të tyre dhe duke i fshehur faktet dhe dëshmitë të cilat edhe sot, në këto momente kur po flasim, janë duke ndodh dy gjëra: E para, në terren KEDS dhe Ministria po bëjnë ndërrimin e njehsorëve; E dyta, anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit tim, janë në prokurori duke dhënë dëshmi për faktet e të gjeturave tona të cilat i kemi bërë të njohura”, tha ai.

Azemi gjithashtu ka kërkuar urgjentisht nga Ministria që të mos manipulojë opinionin publik dhe të tregojë transparencë të plotë për hetimet.

“Pra, ne kërkojmë urgjentisht nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që t’i vejnë përgjegjësit kryesorë para drejtësisë, mos të manipulojnë me opinionin publik se kushedi po e gjobisin KEDS-in me këto shifra të cilat e thashë më herët janë selektive. Sepse po flasim për njehsorë të cilët na qenkan, i paskan tejkalu vlefshmërinë e afateve, por edhe njehsorë të rinj të cilët janë të instaluar qysh vonë dhe kanë devijime të kohës, realisht e kanë matë gabimisht energjinë elektrike në periudhat me lirë dhe me shtrenjtë. Dhe këtë po kërkojmë, këtë e kemi denoncua që nga fillimi. Nuk kemi denoncua njehsorë të cilët mund ta masin energjinë si sasi, por kemi denoncu njehsorë të cilët po e masin energjinë keq në kohë kur, sipas vendimeve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, është dashtë me u faturu me lirë, ndërkohë qytetarëve u është faturu me shtrenjtë. Dhe ky devijim, kjo diskrepancë, u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës miliona euro”, theksoi Azemi.

Në lidhje me transparencën dhe mungesën e të dhënave konkrete nga ministria, ai ka ngritur shqetësime për mungesë sqarimi mbi përmasën e problemit.

“Pra, edhe deklaratat e fundit të MINT-it nuk janë transparente. Pra ta dimë një gjë: në Kosovë janë të instaluar mbi 700 mijë njehsorë elektrikë, ndërsa MINT-i nuk po jep asnjë shifër se sa njehsorë qenkan problematikë dhe në cilat rajone. Pra, po flasim për dy njehsorë, a për 2000 njehsorë, apo për 200,000 njehsorë? Pra, duhet me e ditë në çfarë shkalle i kanë zhvilluar hetimet e tyre edhe për çfarë shkalle të gjobave po flasim në këtë hetim. Prandaj edhe njëherë, gjobat janë të vonuara dhe të pamjaftueshme sepse nuk po e trajtojnë problemin kryesor i cili është devijimi i matjes në kohë për energjinë e lirë dhe të shtrenjtë. Dhe unë edhe nga kjo foltore i bëj thirrje edhe shtetit, sepse qytetarët vazhdimisht, edhe sot më shkruajnë, kërkojnë informata të mëtejshme, nuk dinë se çfarë po ndodh. Pra, të jenë transparentë, të japin informacione të sakta dhe të tregojnë se kur qytetari i Republikës së Kosovës ka me u kompensu për mjetet dhe eurot të cilat i kanë paguar padrejtësisht me njehsorët e manipuluar nga KEDS-i”, shtoi ai.

Të ngjashme