“Turma të rinjsh bllokojnë Shtëpinë e Kulturës në Prizren”. Ky është lajmi i ditës në qytet. Mjaftoi një njoftim që më datë 31.10.2018 do të vijë një kompani gjermane, e cila do të ofrojë mbi 2 mijë vende pune dhe të rinjtë e Prizrenit dhe qyteteve të tjera të lënë një vendtakim në orën e saktë. Ata ishin të saktë si asnjëherë në jetën e tyre. ikja duhej të realizohet me kohë. Nataliteti i ulët dhe rritja e vazhdueshme ekonomike në Gjermani e bën obligim shtetëror që ky vend të ketë nevojë për 1.4 milion emigrant të huaj që janë të gatshëm të punojnë në gjerman. (*Ruchir Sharma – Ngritja dhe Rënia e Kombeve).
Zhvillimi i një shteti është i lidhur ngushtë me shkallën e natalitetit. Pak vende kanë realizuar rritje ekonomike në të njëjtën kohë kanë shënuar rënie të natalitetit. Gjermania nuk është njëra prej tyre .
Gjermanisë i duhen punëtorë dhe një pjesë prej tyre do ta gjejë në Kosovë, bile me zbritje deri në likuidim total. Ky është çmimi i një të riu nga Kosova – sikurse çmimet e mallrave në dyqanet që në ballinën e tyre e kanë të shkruar me shkronja të mëdha dhe të kuqe “Likuidim Total – Mbyllet Dyqani”.
Ne nuk do ta mbyllim dyqanin, por do ta paaftësojmë Kosovën dhe ekonomikisht do ta falimentojmë atë.
Shpenzimet mbi 400 MILIONË euro në vit për skema sociale i bie që 20 % e buxhetit si tërësi është e shpenzuar për kategorinë më joprodhuese, siç do ta përshkruan Karl Marx në librin e tij “Teoria e Mbivlerës”.
Nga ky 400-milionësh i vjelur nga taksat e qytetarëve të Kosovës dhe i dhënë për kategoritë sociale, 90 % e tyre do të dalin jashtë vendit si pasojë e deficitit tregtar. Pra mallrat që do të blihen nga ky fond 90 % e tyre kanë prejardhje jashtë vendit .Viti tjetër do të ketë po aq shpenzime dhe po aq do të dalin nga shteti, e që do të vijë një ditë që nuk do të kemi mjete financiare që ta blejmë edhe një çelës e ta mbyllim Kosovën.
Ky largim i rinisë ekonomikisht do të përkthehej në më pak punëtorë për ndërmarrjet që operojnë në vend, si ulje e fuqisë blerëse, si pamundësi e ngritjes së pagave në sektorin privat si pasojë e uljes së fuqisë blerëse etj.
Ndodhi në Prizren, por pasqyron Kosovën si tërësi që Perëndimi të bëhet lindje dhe rilindja të lindë në Perëndim. Për një shpresë të një jete më të mirë, për një siguri që e mishëron fjalën, për një ikje nga përditshmëria monotone kosovare, ikje nga lajmet për Kosovën, ata kanë vetëm një brengë: A do t`i përmbushin vallë kushtet për pranim?!
Pyetjet e tyre, të realizuara në vetën e tretë por që dukshëm ishte e vetës së parë kishin të bënin me atë që ata kishin mbaruar ose ishin duke mbaruar, shpresën që një element qoftë i lindjes në Gjermani do të mund të ishte një plus për ta, apo siguria që nëse pranohen fëmijët e tyre si do t`i marrin.
Pyetje prej nevojtari të ngurruar e jo prej një të interesuari ordiner. Njerëz, shumica e të cilëve ishin nën moshën 30-vjeçare por kishte edhe mbi 50-vjeçarë që kishin “interes” për të ikur nga Kosova e për të gjetur punë në vendin gjerman. Ata nuk kishin veç interes, por kishin nevojë. Nevoja paraqet shkallën sipërore të interesit.
Aty në atë tubim duhej të ishin udhëheqësit politikë. Të shohin se çka kanë bërë e çka po i pret, të shohin se mbytja e shpresës është realizuar suksesshëm edhe për të palindurit, të shohin se i riu i Kosovës nuk do që t`i shohë fytyrat e tyre asnjëherë më , e të shohin se si panairi paralel i punës që po zhvillohet në Qendrën Sportive “Sezai Surroi”, më shumë paraqet Panairin e skllavërisë se sa panairin e punës. Nga ky skllavërim i premtuar i së ardhmes, të rinjtë tanë janë të motivuar që të mos e mendojnë pjesën tjetër të jetës në këtë vend. Këtij vendi iu është shkatërruar shpresa. Kjo nuk ndërtohet brenda natës, as ditës. Nuk ndërtohet as brenda muajit e vitit. As nëse qeverisja ndërron dhe vjen një mesia i cili do të tentojë ta kthejë shpresën shpejt e sigurt. Shpresa në këtë vend ka vdekur… përfundimisht!
Shpresa vdiq nga pangopësia e udhëheqësve politikë. Vdiq nga perversiteti i shumicës së ndërmarrësve, vdiq nga padrejtësia e Drejtësisë, vdiq nga mosdija e tempujve të shumtë të dijes. Kemi aq shumë tempuj të dijes sa nuk do t`i mbushim me tempullarë. Vdiq klinikisht.