Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare prej sot (e hënë) do të bashkojë rreth 150 studiues nga e mbarë bota. Për 11 ditë, krahas shpalosjes së studimeve për gjuhë, letërsi e kulturologji, rreth 120 studentë të huaj do të vijojnë kurset e gjuhës shqipe.
Në edicionin e 37-të Seminari do të vazhdojë traditën sa i përket sjelljes së rezultateve të reja në studimet albanologjike, shkruan sot “Koha Ditore”. Në sesionin e gjuhësisë këtë vit do të shpalosen studime mbi temën “Shqipja në diasporë – diasporat e shqipes”, në atë të letërsisë në temën “Topika e letërsisë shqipe” e në atë të kulturologjisë, “Kultura në epokën digjitale”.
Drejtori i Seminarit, studiuesi i gjuhës shqipe, Rrahman Paçarizi – i cili udhëheq këtë ngjarje bashkë me kolegen e tij gjuhëtare nga Shqipëria, Aljula Jubani – ka thënë se tema e caktuar në gjuhësi është e rëndësishme për arsye se tashmë janë krijuar edhe diaspora apo ishuj të tjerë ku flitet shqipja për shkak se emigracioni shqiptar i ka krijuar brezat e vet të dytë e të tretë që janë folës të shqipes, por që në fakt janë të rritur si bilingualë. “Andaj mendojmë që ka ardhur koha që sivjet të merremi pikërisht me këtë çështje”, ka thënë ai.
Për temën e letërsisë ka thënë se kanë menduar që letërsia shqipe ka arritur një shkallë të caktuar të zhvillimit që përfundimisht mundëson që studiuesit të merren me nivelin teorik dhe praktik.
“Ka hapësirë të merremi me tema kaq të ndërlikuara siç është topika e letërsisë shqipe”, ka thënë ai.
Sa i përket temës së caktuar për kulturologji, Paçarizi ka thënë se meqë është sesion i themeluar para katër vjetësh, janë përpjekur që në vazhdimësi temat nga kjo fushë të jenë pak më aktuale.