Prishtina e pret Gjilanin në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për ndeshjen e mbetur të javës së parë në Ipko Superligë.
Ndeshja do të duhej të zhvillohej më 18 gusht, por ishte shtyrë pasi që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk e lejoi zhvillimin e saj, shkaku që stadiumi nuk ishte i pranuar teknikisht.
Klubi gjilanas fillimisht kërkoi tri pikë në tavolinë, por pas një kohe të shkurtër u pajtua ta zhvillojë ndeshjen, pasi Komisioni i Garave, mori vendim për përsëritjen e saj.
Prishtina futet në këtë takim me tetë pikë nga katër ndeshjet e para duke regjistruar dy fitore dhe dy barazime, ndërkohë Gjilani ka një pikë më pak, derisa ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe një humbje.
Çmimi i biletave pritet të jetë i përballueshëm për tifozët e futbollit, pasi në veri dhe lindje çmimi do të jetë 2 euro.
Kjo përballje do të drejtohet nga gjyqtari i ri me perspektivë, Dardan Çaka.