Sot seancë e jashtëzakonshme në Kuvend për çmimin e rrymës

Prishtinë | 18 Jan 2024 | 07:55 | Nga Ekonomia Online

Sot, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Seanca e thirrur në ora 10:00 ka vetëm një pikë në rend dite “Shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët”.

Seanca e jashtëzakonshme për çështjen e çmimit të energjisë elektrike është thirrur nga PDK-ja.

“Me mbështetjen e 40 deputetëve nga partitë tjera opozitare, si Grup Parlamentar i PDK-së kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çështjen e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Konsiderojmë se sot nuk ka gjë më të rëndësishme që sesioni parlamentar mund të fillojë sesa me diskutimin për çmimin e energjisë”, tha Abelard Tahiri të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai shtoi se kanë propozuar gjithashtu një rezolutë për uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave.

“I dini shqetësimet e qytetarëve që po paguajnë çmimet e larta të energjisë në vendin tonë. I kemi propozuar Kuvendit edhe një rezolutë në bazë të cilës kërkojmë uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave. Ditën e enjte do ta kemi vetëm këtë seancë të propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së”, kishte thënë Tahiri.

Qytetarë të shumtë kanë reaguar të pakënaqur lidhur me faturimin e rrymës në muajin dhjetor, ku shumë prej tyre janë ankuar se kanë paguar dyfishin e muajit paraprak.

Lidhur me këtë në KESCO 1700 qytetarë janë ankuar.

Nga KESCO kanë thënë se rritja e vlerës se faturave është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje.

“KESCO njofton konsumatorët dhe opinionin publik që nuk ka pasur rritje të tarifave fundore. Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të ZRrE-së, më 1 prill 2023. Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”, thuhej mes tjerash në reagim.

Të ngjashme