Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka goditur një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike të llojit të kokainë.
Me këtë rast, janë arrestuar tre shtetas shqiptarë, derisa 8 të tjerë mbesin në kërkim. Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine në Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar tetë raste të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.
Në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, hetuesit e BKH-së kanë vijuar hetimet intensive në drejtimin e prokurorëve të posaçëm.
Sipas autoriteteve shqiptare, të arrestuarit kanë trafikuar sasi të mëdha të lëndëve narkotike, të llojit kokainë, për në vende të ndryshme të Evropës.
Gjithashtu, bëhet e ditur se janë sekuestruar pasuri në vlerë prej 12 milionë eurosh.
60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.
89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme. 72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.
“Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.”, thuhet në njoftim.