Autoritetet spanjolle do të mbajnë shënim për personat që do të refuzojnë të vaksinohen si masë anti-Covid.
Ministria e Shëndetësisë e Spanjës ka thënë se këto të dhëna do t’i ndajë me shtetet tjera, por jo me publikun vendas.
Ministri Salvador Illa ka thënë se është shumë e rëndësishme që qytetarët të vaksinohen kundër koronavirusit, edhe pse ky proces as në Spanjë dhe në shumë vende tjera nuk është obligues.
“Do të bëjmë një regjistër të njerëzve që do të refuzojnë të vaksinohen”, tha ai, përcjellin mediat e huaja.
Qeveria spanjolle planifikon që deri në fund të shkurtit të vaksinojë rreth 2.5 milionë banorë, e deri në verë 15 deri në 20 milionë.
Në Spanjë, si pasojë e koronavirusit kanë vdekur rreth 50.000 pacientë, kurse janë infektuar me të rreth 1.8 milionë banorë.