Spanja kishte arritur në Kupën e Botës e bindur se është e gatshme sërish të udhëheqë botën e futbollit. Por humbja e së dielës nga Rusia në 1/8 e finales të Botërorit e ka dërguar kampionen e vitit 2010 një dekadë prapa dhe i ka dhënë fund një gjenerate të lavdishme.
Ideja se Spanja, që ka një skuadër me plot fitues në nivel të klubeve dhe përfaqësueseve, mund të dërgohet në shtëpi nga përfaqësuesja më së poshtmi e ranguar në Botëror, do të kishte tingëlluar si çmenduri një muaj më parë, shkruan Koha Ditore.
Mirëpo derisa çdo minutë po kalonte në stadiumin Luzhniki, po dukej gjithmonë e më e mundur. Megjithëse pati 1107 pasime, Spanja nuk arriti të thyejë rezultatin 1:1 dhe fati i spanjollëve u vulos kur portieri rus Igor Akinveev e priti me këmbë penalltinë e Iago Aspasit, për të konfirmuar fitoren 4:3 të vendësve pas penalltive.
Një përfaqësuese që gjithmonë ishte vlerësuar se nuk po arrin synimet në turne të mëdhenj, Spanja, e hoqi këtë njollë nga vetja pas një cikli të lavdishëm mes viteve 2008 dhe 2012, kur fitoi dy herë rresht titullin e Evropës dhe po ashtu Kupën e Botës për herë të parë.