Ish-lojtari i Barcelonës, David Villa, do të rikthehet në kombëtaren e Spanjës në sfidën vendimtare eliminatore ndaj Italisë.
Trajneri Julian Lopeteguei ka rikthyer në skuadrën e tij sulmuesin, i cili mungon që prej 3 vjetësh, ndërsa rezervon debutimin për milanistin Suso dhe injoron mbrojtësin Marcos Alonso që po kalon një moment të artë me Chelsean.
“Kam grumbulluar 26 lojtarë sepse 7 prej tyre rrezikojnë ndeshjen ndaj Lichtenstein për shkak të kartonëve”, theksoi Lopetegui në konferencën e shtypit. Në vijim ai e pranoi se vendimi për të rikthyer Villan është disi i çuditshëm, por shtoi se pavarësisht aktivizimit të tij në SHBA, ai mund të jetë i vlefshëm me eksperiencën që ka.
Villa nuk luan me Spanjën që prej ndeshjes së fundit të iberikëve në ndeshjen e fundit të Kupës së Botës 2014. Me Spanjën numëron 59 gola në 97 ndeshje të luajtura. Një tjetër emër i papritur në listën e Lopeteguit është edhe katalanasit, Gerard Deulofeu.
Ish-sulmuesi i Milanit që aktualisht mban të veshur fanellën e Barcelonës, e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë me dy asiste në ndeshjen kundër Real Betis.
Spanja kryeson Grupin G me pikë të barabarta me Italinë dhe ndeshja e radhës kundër të kaltërve do të jetë vendimtare për vendin e parë që siguron automatikisht një biletë për në Botërorin 2018, ndërsa skuadra e dytë do të luajë dy përballje “play off”.