Federata e Futbollit e Spanjës ka bërë të ditur se të gjitha ndeshjet e futbollit, përveç në dy ligat e para – La Liga Santander dhe La Liga SmartBank – që ishin planifikuar të mbahen në 14 ditët e ardhshme do të shtyhen, shkaku i koronavirusit.
Ndeshjet e futbollit në kategorinë e vajzave dhe djemve, në futsall e edhe ato jo-profesioniste do të shtyhen të gjitha në Spanjë. Përderisa në këtë vendim të Federatës spanjolle përfshihen ndeshjet e dy kategorive më të ulëta, nga vendimi nuk ndikohen dy nivelet e para të La Ligës, transmeton Gazeta Express.
Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu është duke tentuar ta gjejë një datë të re për finalen e Kupës së Mbretit mes Athletic Bilbaos dhe Real Sociedadit, që do të zhvillohet më 18 prill.
Shoqata e Futbollistëve Spanjollë kërkoi të martën të suspendohen të gjitha ndeshjet e jo vetëm të luhen pa tifozë, pasi që argumentoi se rreziku nga koronavirusi nuk mënjanohet vetëm duke i larguar tifozët nga stadiumi.
Megjithatë, ky vendim nuk i prek dy kategoritë e para të futbollit në Spanjë – La Liga Santander dhe La Liga SmartBank. Ndeshjet e dy xhirove të ardhshme të këtyre dy garave do të zhvillohen siç ishte planifikuar, por pa praninë e tifozëve.
La Liga e mori vendimin për zhvillimin e këtyre dy xhirove pa tifozë pas një takimi me autoritetet regjionale të shëndetësisë.
Megjithatë, sipas Cadena SER, edhe ndeshjet e La Ligës mund të suspendohen së shpejti, pasi Federata e Futbollit e Spanjës do ta diskutojë çështjen sot më vonë me zyrtarë të La Ligës dhe Shoqatës së Futbollistëve Spanjollë.