Spitali i Mitrovicës me njoftim për incidentin në Skenderaj, thotë se dy persona kanë kërkuar trajtim

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka konfirmuar  se në orët e pasditës dy persona nga Skenderaj kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente.

Sipas njoftimit të spitalit të dy personat kanë shenja- lëndime, njëri fizike në fytyrë dhe kokë, kurse tjetri lëndime/gërvishje fizike.

Njoftimi i plotë:

“Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, konfirmon se në ora 13:10, dy persona nga Skenderaj kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente. Të dy personat kanë shenja- lëndime, njëri fizike në fytyrë dhe kokë, kurse tjetri lëndime/gërvishje fizike.

Aktualisht, ekipet mjekësore janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore, përfshirë konsultimet nga ekipet mjekësore të reparteve të tjera”.

Lëvizja Vetëvendosje pak më herët tha se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka sulmuar fizikisht zëvendësministrin e Ministrisë së Financave, Hysni Mehani, i cili është edhe kandidat për deputet dhe kryetar i qendrës së VV’së në Skenderaj.

Në anën tjetër, Lushtaku në reagimin e tij ka mohuar se ka sulmuar atë, duke thënë se qytetarët nuk e kanë toleruar që Mehani i është drejtuar atij me “Sami Serbia”.

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si “Sami Serbia” qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar ai.

Të ngjashme