Ambasada e Zvicrës përkrah gazetarët e sportit

Prishtinë | 01 Nën 2019 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e Shoqatës së gazetarëve Sportivë të Kosovës, presidenti Edmond Thaçi, sekretari i përgjithshëm Artan Muhaxhiri dhe nënkryetari Jon Ajeti, janë pritur në një takim pune në ambasadën e Zvicrës nga zv. Shefja e Misionit Pauline Menthonnex Gacaferri.

Në një pritje jashtëzakonisht të ngrohtë, të dyja palët kanë diskutuar për mundësite e bashkëpunimit dhe për rolin e madh që mund ta ketë Ambasada e Zvicrës në mbështetjen e projekteve të SHGSK-së dhe kontributin për zhvillimin e gazetarisë sportive.

Menthonnex Gacaferri është njoftuar në detaje me misionin e SHGSK-së, përvojën e mirë të mehershme me ambasadën Zvicrane dhe fokusin në projektet konkrete ku të dyja palët mund të gjejnë pika të përbashkëta bashkëpunimi.

Menthonnex Gacaferri i ka falënderuar drejtuesit e SHGSK-së, duke ofruar përkrahjen e parezervë.

Ajo ka thënë se ky është vetëm takimi i parë, pas së cilit mund të ketë lëvizje konkrete në shërbim të komunitetit të gazetarëve dhe shoqërisë kosovare.

Presidenti SHGSK-së Edmond Thaçi e ka njoftuar për numrin e anëtarëve që i ka kjo shoqatë, për ndryshimet e fundit pas asamblesë zgjedhore dhe për projektet që SHGSK planifikon ti realizojë gjatë vitit 2020.

Sekretari i përgjithshëm i SHGSK-së Artan Muhaxhiri ka folur rreth lehtësimeve për procedurat e vizave dhe për mundësinë që disa gazetarëve sportivë t’u realizohet vizita e takime me institucionet zvicrane të sportit dhe medias, me qëllim të përfitimit të përvojave konkrete.

Poashtu u diskutua që të lehtësohen procedurat për gazetarët sportivë që duan të përcjellin aktivitetet sportive të diasporës kosovare në Zvicër.

Nënkryetari I SHGSK-së Jon Ajeti poashtu përmendi mundësinë e format e shumta qëtë dyja palët i kanë në dispozicion për një gamë të gjerë bashkëpunimi.

Pas këtij takimi SHGSK mori përsipër evidentimin e saktë të anëtarëve të saj duke bërë një regjistrim strikt, pas së cilit komplet lista e anëtarëve të SHGSK-së do t’i përcillet Ambasadës Zvicrane, e cila në këtë formë do të mundohet të ketë konsideratë rreth çështjeve me rëndësi si aplikimi për vizë.

Në fund drejtuesit e SHGSK-së duke e falënderuar për pritjen e ngrohtë znj. Menthonnex Gacaferri i dhuruan një plaketë dedikuar Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.

Agjendave e vizitave nëpër ambasadat e huaja në Kosovë, do të vazhdohet me datën 18 nëntor, me takimin tashmë të aranzhuar me ambasadorin norvegjez Jens Erik Grøndahl.

Të ngjashme