Arben Fetahu konfirmon dorëzimin e mandatit të presidentit të FBK-së

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Arben Fetahu do t’ia dorëzojë Kuvendit të Federatës së Basketbollit të Kosovës postin e presidentit qysh në vitin e ardhshëm.

Ai është zgjedhur kryetar i shtëpisë së basketbollit në prill të vitit 2018. Por, këtë detyrë nuk do ta ushtrojë katër vjet – sa është një mandat – por vetëm rreth dy vjet.

Kjo për faktin se Fetahu ka ardhur si zëvendësues i Erolld Belegut, i cili ishte zgjedhur kryetar i FBK-së në vitin 2016, por që e kishte lënë mandatin pas dy vjetësh për ta vazhduar angazhimin si këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj.  

Vendimi për ta ndërprerë mandatin Fetahu e ka marrë shkaku i një vendimi/udhëzimi të institucionit më të lartë sportiv në vend, Komitetit Olimpik të Kosovës, që të gjitha federatat sportive t’u nënshtrohen pas çdo Olimpiade, konform Ciklit Olimpik katërvjeçar.

Pas federatave zgjedhje mban edhe KOK-u. Zgjedhjet fillojnë nëpër federata në verë, pas çdo Olimpiade, dhe mbyllen në vjeshtë me zgjedhjet në KOK. Vetëm pas zgjedhjeve organizatat sportive licencohen nga Ministria e Sportit, e cila këtë e bën çdo katër vjet.

“Mbas Lojërave Olimpike të vitit 2020 ne do t’i mbajmë zgjedhjet. Ne i përmbahemi udhëzimit të KOK-ut, dhe unë, sipas Statutit, e përfundoj mandatin të cilin e kam marrë në gjysmë sepse në vitin 2016 kemi pasur zgjedhje të rregullta”, ka deklaruar për Gazetën Express, Arben Fetahu. “Ne u përmbahemi obligimeve ligjore dhe statutore”, theksoi ai.

Por, Fetahut me shumë gjasë do t’i kërkohet edhe kandidimi për një tjetër mandat, por të plotë, 2020-2024.

Qysh në vitin 2016 ishin mbajtur zgjedhje në të gjitha federatat dhe KOK.

Disa mandate ishin marrë në gjysmë, si rasti i Fetahut që e ka vazhduar mandatin e Belegut, apo ai i Agim Ademit që ishte zgjedhur kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës pas vdekjes së kryetarit të ndjerë, Fadil Vokrrit. Por, nga FFK-ja zërat e parë thonë që nuk do të ketë zgjedhje pasi Ademi ka marrë mandat katërvjeçar. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme