Barcelona mund t’i ofrojë tre lojtarë për të transferuar Ronaldon në Camp Nou

Prishtinë | 21 Qer 2021 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, po formulon një plan të guximshëm për të bashkuar Cristiano Ronaldon me Lionel Messin në Camp Nou, sipas raporteve në Spanjë.

Ronaldo, 36 vjeç, ka një vit në kontratën e tij me Juventusin dhe ka qenë i lidhur fort me një largim nga gjigandët e Torinos këtë verë.

Pretendimi se ish rivalët e El Clasicos do të rreshtohen në të njëjtën skuadër është diçka e pabesueshme, shkruan Mirror.

Edhe pse dyshja legjendare hyn në muzgun e karrierës së tyre, është e mundur që ata të bëjnë marrëveshje afatshkurtra me ofertuesin më të lartë, ose klubin që ofron vizionin më tërheqës.

Në sytë e Laportas, nuk ka asnjë propozim më joshës sesa mundësia që Ronaldo të luajë së bashku me Messin, andaj po punon shumë për të bërë një sulm të bujshëm.

Diario AS pretendon se Laporta do të ofrojë një përzgjedhje të lojtarëve të Barcelonës te Juventusi, në mënyrë që transferimi i ëndrrave të bëhet realitet.

Sulmuesi Antoine Griezmann dhe mesfushorët Philippe Coutinho dhe Sergi Roberto janë tre emra të cilët Barcelona është e gatshme t’i jep për të arritur marrëveshjen.

Por, raporti pranon se nuk ka asnjë garanci se heroi i Real Madridit, Ronaldo do të pranonte të bashkohej me Barcelonën, dhe as agjenti i tij, Jorge Mendes, nuk ka folur zyrtarisht.

Të ngjashme