Berisha ka lënë prapa periudhën e vështirë

Prishtinë | 10 Gus 2019 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Shumë i vështirë ishte viti i parë i Valon Berishës në Itali, te skuadra e Lazios. Ai luajti fare pak për shkak të lëndimeve që nuk iu ndanë thuajse asnjëherë, shkruan sot Koha Ditore.

Një lojtar që gjatë tërë karrierës kishte munguar vetëm një herë për shkak të lëndimit, e humbi thuajse një edicion të plotë për arsye shëndetësore.

Por lideri i mesfushës së Kosovës beson se ka lënë prapa periudhën e vështirë. Ai po ka një fazë përgatitore të suksesshme dhe beson fuqishëm se do të jetë i rëndësishëm për Lazion në edicionin e ri. Lazio ka pritur shumë prej tij dhe pret edhe për edicionin tjetër. Verën e kaluar Berisha ishte transferuar nga Salzburgu austriak te Lazio e Serie A.

Te Salzburgu për shumë vjet ishte lojtari kryesor.

“Kam pasur një vit shumë të vështirë, prej fillimit. Po punoj shumë për të pasur një edicion të rilindjes. Shpresoj që të më ndodhë mua ajo që i ka ndodhur Felipe Andersonit, Luis Albertos e ndonjë tjetri. Shpresoj se do të jem i pëlqyeri nga tifozët”, ka thënë Berisha të premten në një intervistë për gazetën e madhe italiane, “Corriere dello Sport”. Ai u është referuar lojtarëve që vitin e parë te Lazio e kishin shumë të vështirë e më pas u shndërruan në liderë të skuadrës. 

Të ngjashme