Boksieri britanik rrezikon suspendim të gjatë pasi e kafshoi kundërshtarin

Prishtinë | 01 Pri 2019 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Boksieri britanik i peshës së rëndë, Kash Ali, pritet të marrë një suspendim të gjatë dhe një gjobë të madhe pasi kafshoi kundërshtarin David Price. Për kafshim në meçin e së shtunës ai u diskualifikua.

Price mbeti me një shenjë të madhe të kuqe në stomak, që u shkaktua pasi që Ali, 27-vjeçar, e kafshoi atë në një incident shokues në raundin e pestë në meçin e zhvilluar në Liverpool, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. Price po ashtu ka treguar se Ali e kafshoi atë së paku dy herë në dy raundet e para.

Bordi i Kontrollit i Boksit Britanik (BBBofC) do të obligoj tash Alin të paraqitet para Këshillit Qendror gjatë muajit prill ku licenca e tij është gati e sigurt se do të pezullohet. Po ashtu, pagesa e Alit, që mendohet se ishte afërsisht 20 mijë funte, është ndaluar.

Pika kulmore arriti në raundin e pestë, kur të dy u kapën dhe u rrëzuan përtokë. Derisa ishin poshtë në dysheme, Ali, që në raund të tretë ishte dënuar me heqje të një pike për shkak të goditjes prapa kokës, e kafshoi Pricen në stomak.

Price mund të dëgjohej duke bërtitur “ai po më kafshon” në drejtim të referit Mark Lyson, ndërsa referi e diskualifikoi Alin.

Kafshimi ishte konfirmuar edhe me shenjat e dhëmbëve që figuronin në stomakun e Pricet, ndonëse Ali kishte një mbrojtëse të dhëmbëve. I pyetur për një rimeç të mundshëm, Price ka thënë: “Unë nuk dua të ndaj një ring me një kafshë të tillë sërish”.

Ali, që ishte i pamposhtur në 15 meçet e kaluara, u desh të largohej me nxitim nga arena, ndërsa ishte gjuajtur me birrë dhe gjësende në drejtim të tij nga tifozëria në Liverpool.

“Mendoj se ishte një meç i mirë, unë e lëndova atë në raund të pestë dhe kam mundur ta nokautoja. E rrëzova poshtë dhe ishte çmenduri ajo që bëra. Nuk ka arsyetim për këtë, mendoj se ishte thjesht reagim nga lufta, ishte hera ime e parë në një skenë të madhe dhe isha shumë i motivuar të luftoja. Pata atë mentalitet budallallëk të rrugës, ishte çmenduri”, ka thënë Ali.

Për David Pricen ishte fitorja e 24-t në karrierë, karshi gjashtë humbjeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme