Challandes: Komplimentet e shumta që kemi marrë ndaj Çekisë e Anglisë mund të jenë të rrezikshme

Prishtinë | 07 Tet 2019 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në një konferencë për media ka folur për ndeshjen miqësore me Gjibraltarin dhe ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi.

Challandes ka thënë se do të jetë një javë shumë e rëndësishme, ku ndeshja miqësore, siç thekson ai, do t’i jap atij më shumë qartësime.

“Do të jetë një javë shumë e rëndësishme. Ndeshja me Gjibraltarin do të më jap më shumë qartësime. Është ndeshje që do të kenë rastin të luajnë disa lojtarë që nuk kanë pas hapësirë të madhe as në klubet e tyre”, raporton KTV.

Gjithashtu, ai ka theksuar se “ndeshja me Malin e Zi është më e rëndësishmja deri më tani dhe po ashtu mund të jetë shumë e rrezikshme për Kombëtaren”.

“Nëse do të them që ndeshja me Malin e Zi është më e rëndësishme deri me tani, atëherë trajneri i juaj nuk është mirë në kokë. 3 pikë na duhen jashtëzakonisht shumë ndaj Malit të Zi për të ëndërruar. Kjo ndeshje mund të jetë e rrezikshme për ne. Mali i Zi ka ekip të mirë dhe nëse dikush nga lojtarët mendon ndryshe atëherë ai ka probleme me veten”, shtoi ai.

Përzgjedhësi Challandes, po ashtu, ka thënë se ndeshja me Malin e Zi mund të jetë e rrezikshme edhe në aspektin mental.

“E kam parë ndeshjen e fundit të Malit të Zi. Rezultati në atë ndeshje nuk ka qenë real nga ajo që ka treguar Mali i Zi i cili ka pasur disa raste të mira shënimi. Kjo ndeshje do të jetë e rrezikshme edhe në aspektin mental”, tha ai duke shtuar se “Kemi marr komplimente të shumta pas fitores kundër Çekisë dhe ndeshjes me Anglinë. Kjo mund të jetë e keqe në aspektin mental. Nuk jam Mourinho e Guardiola, por e di se komplimentet e shumta mund të jenë të rrezikshme”.

Të ngjashme