Debutimi me medalje në “Masters” e konfirmon Lorianën si top-xhudiste

Prishtinë | 13 Jan 2021 | 21:44 | Nga Ekonomia Online

Nuk ishte bartëse dhe madje nuk ishte e sigurt që do të merrte pjesë. Por Loriana Kuka do të largohet nga Doha e Katarit si fituese e madhe.

Në debutimin e saj në “Masters”, Loriana ka fituar medalje. Ajo të mërkurën fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 78 kilogramë. Loriana përballë ka pasur xhudiste elitare dhe me përvojë dukshëm më të madhe se ajo. Por ka shfaqur formë të lartë dhe ka rritur besimin edhe të trajnerit Driton Kuka për një vit të jashtëzakonshëm të saj.

Të mërkurën ka përfunduar “Mastersin” në Doha të Katarit. Është turneu që ka hapur vitin në xhudo. Është turne i xhudistëve elitarë. Mund të marrin pjesë vetëm 36 më të mirët në secilën kategori. Pra vetëm më të mirët.

Për Kosovën është turne shumë i suksesshëm. Të hënën Distria Krasniqi (48 kg) fitoi medalje të artë, ndërsa Majlinda Kelmendi (52 kg) e Nora Gjakova (57 kg) fituan medalje të bronzta. Të martën Akil Gjakova (73 kg) u rendit i shtati, ndërsa një tjetër medalje shtoi Loriana të mërkurën. Pesë xhudistë, katër medalje, një vend i shtatë. Është bilanc që nuk e ka pritur as trajneri Driton Kuka. Por puna e madhe e xhudistëve po shpërblehet në momentin e duhur, në fillim të vitit olimpik.

Loriana Kuka deri më tani ishte e 12-a në ranglistën olimpike. Për këtë nuk ishte në mesin e tetë bartëseve. Madje, ajo tregon se nuk e ka ditur nëse do të marrë pjesë në “Masters”. Loriana më herët ka pasur telashe me koronavirus, ndërsa tashmë ka sanuar plotësisht një lëndim serioz që e kishte pësuar.

“Jam e kënaqur me paraqitjen dhe me rezultatin. Nuk isha e sigurt që do të marrë pjesë në këtë garë, prandaj paraqitjen dhe rezultatin i vlerësoj shumë”, ka thënë Loriana Kuka për KOHËN.

Ajo është mbesa e trajnerit Driton Kuka. Kishte lënë jetën në Zvicër për të bërë karrierë në Kosovë.

23-vjeçarja vjet fitoi medalje të bronztë në Evropian dhe në “Grand Slamin” në Budapest. Dy vjet më parë ishte e treta në Botëror dhe në Evropian. Tani ndihet gati për hapin tutje.

Të mërkurën fillimisht e mposhti Sarah-Miryam Mazouz të Gabonit. Në luftën e dytë e mposhti francezen Audrey Tcheumeo, fituese e dy medaljeve olimpike dhe ish-kampione botërore dhe kampione e shumëfishtë evropiane. Ndaj japonezes Shori Hamada u paraqit mirë, por megjithatë pësoi në kohën shtesë. Në repesazh mposhti Kaliema Antomarchin të Kubës dhe britaniken Natalie Powell.

“Është hera e parë që kam mundur të marr pjesë në ‘Masters’ dhe mora medalje. Është shumë me rëndësi për mua, pasi ka shumë pikë për Olimpiadë në këtë garë”, ka theksuar Loriana.

Ajo pritet të përparojë dukshëm në ranglistën botërore me 900 pikët e fituara.

“Luftërat e sotme më kanë dhënë vetëbesim për garat e ardhshme dhe për Lojërat Olimpike. Besoj që jam kthyer në formën e duhur pas lëndimit, si fizikisht ashtu edhe psiqikisht”, ka shtuar gjigantja nga Peja.

Me paraqitjen e Lorianës është ndarë shumë i kënaqur trajneri Driton Kuka.

“Paraqitja e saj ishte shumë e mirë. Është top-xhudiste dhe po e dëshmon këtë vazhdimisht. Limiti i saj nuk e di ku është. I kemi katër medalje në ‘Masters’, një sukses i jashtëzakonshëm që nuk e kam pritur”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme