Drejtuesit e SIGA-s dhe presidenti i KO-s të Malit të Zi, vizituan KOK-un dhe stadiumin Fadil Vokrri

Prishtinë | 05 Sht 2018 | 14:12 | Nga

Drejtuesit e Aleancës Globale për Integritetin në Sport (SIGA), si dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Malit të Zi, Dusan Simonoviq, kanë vizituar sot Komitetin Olimpik të Kosovës, në prag të Samitit të Parë Rajonal të SIGA-s, që do të mbahet prej orës 14:00 në Hotel Sëiss Diamond në Prishtinë.

Mysafirët u pritën ngrohtësisht nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, me në krye presidentin Besim Hasani.

Presidenti Hasani iu uroi mirëseardhje drejtuesve të SIGA-s që kryesoheshin nga drejtori ekzekutiv, Emanuel Macedo de Medeiros, derisa i njoftoi për sfidat në të cilat kishte kaluar sporti në periudha të ndryshme, si dhe për procesin e njohjes së federatave tona dhe KOK-ut në organizatat ndërkombëtare.

Presidenti Hasani foli për sukseset e sportit tonë, me theks të veçantë medaljen e artë të xhudistes Majlinda Kelmendi, të fituar në Lojërat Olimpike Rio 2016, derisa shprehu optimizmin se vendi ynë falë xhudos do të fitojë medalje edhe në Lojërat e ardhshme Olimpike Tokyo 2020.

Gjatë bashkëbisedimit, presidenti Hasani theksoi edhe një herë përkushtimin e KOK-ut për të pasur integritet dhe qeverisje të mirë në sport, duke respektuar parimet thelbësore të SIGA-s.

Nga ana e tij, Medeiros shprehu kënaqësinë që ndodhet në Kosovë dhe se pikërisht Komiteti Olimpik i Kosovës po e organizon Samitin e Parë Rajonal të SIGA-s.

Medeiros lavdëroi presidentin Hasani për punën që po bënë me KOK-un, duke uruar që të vazhdoni të punoni, derisa shprehu gatishmërinë për mbështetje të plotë. “E di se keni vizion, keni ambicie të mëdha, prandaj ju nuk do të ecni vetëm”, theksoi drejtori ekzekutiv i SIGA-s, Medeiros.

Në fjalën e tij, presidenti i Komitetit Olimpik të Malit të Zi, Dusan Simonoviq, falënderoi presidentin Hasani për pritjen, derisa shprehu kënaqësinë që është ftuar për të qenë njëri nga panelistët në Samitin Rajonal të SIGA-s.

Samiti Rajonal i SIGA-s mbahet sot në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë, ku pjesëmarrës krahas panelistëve ndërkombëtarë dhe vendorë, janë edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, si dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.

Delegacioni i SIGA-s vizitoi edhe stadiumin “Fadil Vokrri”

Pas takimit në zyret e Komitetit Olimpik të Kosovës, delegacioni i SIGA-s i shoqëruar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, vizituan stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në stadium zhvillonte përgatitjet Kombëtarja A e Kosovës, në prag të ndeshjeve me Azerbajxhanin dhe Ishujt Faroe, në Ligën e Kombeve.

Delegacioni i UEFA-s u njoftua me procesin e rinovimit të stadiumit, i cili tek javën e kaluar mori licencën e UEFA-s për kategorinë e katërt, derisa iu uruan djelmoshave tanë suksese në dy ndeshjet e radhës.

Të ngjashme