Dy fytyrat e Adnan Januzajt

Prishtinë | 16 Jan 2020 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i krahut, Adnan Januzaj, këtë edicion po shfaqet me dy fytyra te skuadra e Real Sociedadit, përcjell sajti spanjoll “Eldesmarque” të mërkurën. Përderisa në Kupën e Spanjës ka shpërthyer me paraqitje të mira, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për lojërat që i ka treguar në La Liga deri më tash.

Në Kupën e Spanjës, Januzaj jo vetëm që është lojtari më i dalluar te Sociedadi, por edhe golashënuesi më i mirë. Në dy ndeshjet e luajtura në kuadër të Kupës së Spanjës, Januzaj ka realizuar katër gola dhe ka bërë një asistim. Ai në të dy ndeshjet ishte titullar dhe ka regjistruar 134 minuta lojë në fitoret kundër CD Becerril dhe Ceuta-s. Por për dallim prej kupës, Januzaj këtë formë të mirë nuk e ka treguar edhe në ndeshjet kampionale. Deri më tash ka regjistruar 11 paraqitje në La Liga dhe ka katër asistime. Gol nuk ka shënuar, shkruan Koha Ditore.

Ai asnjë ndeshje në La Liga nuk e ka luajtur për 90 minuta, por as në Kupë, garë ku ka treguar paraqitje fantastike. Në tri ndeshjet e para kampionale ishte titullar, derisa në të tjerat është aktivizuar nga banka e rezervistëve. Januzaj këtë edicion pati probleme edhe me lëndim, duke i munguar ekipit në tetë ndeshje kampionale.

“Jam i lumtur që Januzaj po tregon formë të mirë në kupë. Shpresoj të vazhdojë kështu deri në fund”, ka thënë trajneri i Real Sociedadit, Imanol Alguacil.

Te Sociedadi po shpresojnë se pas formës së mirë në kupë, Januzaj të shpërthejë në pjesën e dytë të këtij edicioni në La Liga. Në La Liga ka 443 minuta lojë.

Të ngjashme