Edicioni i ardhshëm i La Ligas fillon më 12 shtator

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Edicioni i ardhshëm i La Ligas spanjolle do të fillojë më 12 shtator, nëse kampanja aktuale shkon sipas planit. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i La Ligas, Javier Tebas, njofton Reuters të premten.

Pasi mori lejen e qeverisë javën e kaluar, La Liga pritet të vazhdojë edicionin aktual më 11 qershor, kurse plani është që edicioni të përfundojë më 19 korrik.

Të gjitha ndeshjet do të luhen pa shikues, ndërsa orari pritet të konfirmohet zyrtarisht.

“Gjëja e rëndësishme do të jetë kur stinori të përfundojë, edhe pse ne do të jemi në gjendje të përgëzojmë veten vetëm kur të fillojmë sezonin e ardhshëm. Shpresojmë që ajo ditë të jetë më 12 shtator dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të themi se kemi tejkaluar këtë periudhë shumë të vështirë”, ka thënë Tebas.

Ai ka udhëhequr kampanjën për vazhdim të edicionit, që është pezulluar më 12 mars. Ai kishte thënë se klubet do të humbasin një miliardë euro nëse 11 xhirot e mbetura nuk kompletohen.

Të ngjashme