Eriksen do t’i bashkohet Man United këtë javë

Prishtinë | 11 Kor 2022 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

Christian Eriksen do të bëhet lojtar i Manchester Unitedit përfundimisht gjatë kësaj jave.

Ylli danez megjithatë fillimisht duhet ta kalojë një sfidë, atë të kontrollave mjekësore.

Lajmin e ka bërë të ditur portali “Manchester Evening News”, përcjell “Gazeta Express”.

Eriksen kështu do të bëhet përforcimi i dytë i “Djajve të Kuq” i kësaj vere pasi javën e kaluar në “Old Trafford” përfundoi Tyrell Malacia.

Natyrisht, gjiganti britanik nuk do të ndalet me kaq pasi synon të sjellë edhe përforcime të tjera, e mbi të gjitha Frenkie De Jongun e Barcelonës.

United e kaloi një sezon dëshpërues duke mbetur jashtë Championsit për edicionin e ri, ndërsa trajneri i ri, Erik ten Hag po mundohet ta ndërtojë një ekip solid dhe të komponuar mirë për ta pasur një sezon më të mirë.

Ndërkohë, Eriksen u rikthye në pjesën e dytë të sezonit të fundit pas sulmit që e kishte pësuar në zemër gjatë Euro 2020 me Danimarkën.

Ai bëri paraqitje pozitive me Brentfordin, ndërsa e zgjodhi Man Utd, edhe pse kishte oferët pikërisht nga Brentfordi, por edhe nga ish-klubi tjetër i tij, Tottenhami. 

Të ngjashme