Federata e Futbollit e Kosovës u bën ftesë klubeve serbe

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Përkundër që klubet serbe nga Kosova kanë preferuar të anëtarësohen në Federatën e Futbollit të Serbisë, Federata e Futbollit e Kosovës është e gatshme t’i pranojë këto klube në anëtarësi të vet, në mënyrë që ato të zhvillojnë ndeshje zyrtare në ligat e Kosovës.

Federata e Futbollit e Kosovës ka një ofertë për klubet serbe nga Kosova: në vend se të zhvillohen ndeshje ilegale nën drejtimin e Federatës së Futbollit të Serbisë, le të zhvillohen ndeshje zyrtare në kuadër të FFK-së, shkruan Gazeta Express.

Federata serbe kishte planifikuar që ta zhvillojë ndeshjen mes klubit serb nga Kosova, Trepçës, dhe Crvena Zvezdës, sot në orën 15:00 në Kosovë, në kuadër të fazës eliminatore të Kupës së Kosovës.

Një gjë e tillë do ta shkelte statusin e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila është i vetmi autoritet që ka të drejtë organizimin e ndeshjeve zyrtare të futbollit brenda territorit të Kosovës. Në bazë të kësaj, Policia e Kosovës  nuk e lejoi hyrjen e Crvena Zvezdës në Kosovë dhe ndeshja nuk u zhvillua.

Përderisa mediat serbe raportojnë se Trepça dhe Crvena Zvezda do të tentojnë ta zhvillojnë këtë ndeshje nesër në orën 17:00 në qytetin serb Stara Pazova, FFK-ja është e gatshme ta pranojë Trepçën si anëtare të veten.

“Federata e Futbollit e Kosovës është gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë me klubet serbe dhe për t’i integruar ato në futbollin kosovar, pasi që është organizatorja e vetme e ndeshjeve zyrtare të futbollit në Kosovë”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, për Gazetën Express.

“Ne kemi qenë gjithmonë për promovimin e sportit dhe kemi lejuar organizimin e ndeshjeve bamirëse dhe atyre miqësore, mirëpo asnjëherë nuk do ta lejojmë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Serbisë në Kosovë, sepse është kundër statutit tonë dhe të UEFA-s”, shtoi Ademi.

Më 1 gusht të këtij viti, Federata e Futbollit e Kosovës bëri të ditur se, përmes një letre, u ka kërkuar UEFA-s dhe FIFA-s të marrin masa ndaj Serbisë – Federata e Futbollit e së cilës po organizon gara të futbollit në territorin e Kosovës. Deri më tani, UEFA nuk ka reaguar.

Të ngjashme