Festa në Maltë i lë vend finales së madhe

Prishtinë | 19 Nën 2018 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Gjatë festuan futbollistët e Kosovës fitoren kundër Maltës. Festën, që nisi të shtunën mbrëma në Maltë, e vazhduan në Prishtinë deri në orët e hershme të së dielës. Kishin arsye për festë, meqë fitorja 5:0 e arritur të shtunën, është më e thella e Kosovës në ndeshje zyrtare. Është po ashtu fitorja e parë në ndeshje zyrtare garuese në udhëtim.

Festa përfundoi të dielën, ndërsa në pasditen e ftohtë dhe me borë vazhduan përgatitjet për ndeshjen kundër Azerbajxhanit. Ndeshja ndaj Azerbajxhanit luhet të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe vlerësohet finale për Kosovën. Në rast të dështimit në “finale”, atëherë edhe fitorja e thellë në udhëtim ndaj Maltës e humb vlerën.

Festa e fundjavës pritet të jetë e vogël me festën që do të bëhet të martën, nëse Kosova fiton, apo të paktën barazon ndaj Azerbajxhanit. Me fitore apo barazim, Kosova do të arrijë sukses historik.

Përfaqësuesja e Kosovës menjëherë pas ndeshjes është kthyer në Kosovë. Futbollistët që patën minutazhë të madhe të shtunën kundër Maltës, të dielën qëndruan në hotel, kurse pjesa tjetër e ekipit stërviti në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku edhe do të zhvillohet ndeshja e fundit e Grupit 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme