FFK-ja kërkon sqarime nga Ministria e Shëndetësisë për rifillimin e garave

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është në pritje të Ministrisë së Shëndetësisë për të marrë dritën e gjelbër ose të kuqe lidhur me kampionatin e futbollit. Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë për “Kohën” se duhet ta kenë të qartë nëse mund të vazhdohet kampionati, pasi sipas tij, më 24 maj duhet ta njoftojnë UEFA-n se a do të ketë anulim apo vazhdim të Superligës dhe ligave të tjera të futbollit.

“Duhet të vendoset qartë nga ministria në bazë të ekspertëve se a mund të luhet në këtë periudhë apo jo. Pra, na duhet një vendim i Ministrisë së Shëndetësisë. Për ne, fundi për të nisur me gara është fillimi i qershorit, pasi ndryshe nuk kemi gjasa për t’i përfunduar. Ne po tentojmë tash që me Ministrinë e Sportit ta takojmë edhe Ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që të bisedojmë. Deri më 24 maj, është afati i fundit kur UEFA pret një përgjigje se a do ta vazhdojmë kampionatin apo jo, madje FIFA na ka dërguar letrën për të treguar gjendjen se a mundemi apo jo, por që as ne nuk mund të japim përgjigje tani. Është një situatë e vështirë dhe shpresoj që në javët në vazhdim të sqarohet”, tha Salihu, i cili pohoi se e kanë dërguar një kërkesë në Ministrinë e Sportit, ku janë dhënë detajet se kur është koha që duhet të nisin stërvitjet dhe kampionati. “Ne e kemi dërguar një shkresë te ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, vetë kam qenë aty dhe ia kam dorëzuar dhe e di mirë problemin.

Neve na nevojitet që të fillojmë më 10 maj ose më së largu më 15 maj, lojtarët të përgatitur nëpër grupe, në mënyrë që më së voni në fillim të qershorit të fillojë me kampionat. 15 qershori është shumë vonë, sepse ne më 19-20 korrik duhet t’i dorëzojmë emrat dhe duhet të përfundojmë kampionatin, prandaj jemi para vështirësive të mëdha”. Salihu ka theksuar se deri më tani, nuk kanë pasur koordinim mes FFK-së, Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Së pari nuk ka pasur bashkëkoordinim me federatat sportive dhe me Ministrinë e Sportit, së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Së dyti është dashur pak më shumë të pyesin. Nuk është ky më veç sport. Këtu njerëzit japin, djemtë tanë, sponsorët japin paratë e familjeve të tyre dhe nuk është lehtë. Edhe pse nuk është faji i Ministrisë, por po e quaj e keqe globale”, u shpreh ai.

Salihu premton se në ato raste ku do të mund të ndihmohen klubet, FFK-ja do ta bëjë një gjë të tillë. Sa u përket testeve dhe karantinimit, ai mendon se do të jetë e vështirë. “Megjithatë, askush nuk mund ta marrë rrezikun dhe të thotë, ‘hajde po luajmë’. Shëndeti publik është më i rëndësishmi në jetë. Paramendo nëse na ndodh ndonjë rast, klubet tona nuk kanë mundësi që të bëjnë karantinim njëmujor apo dy, është e pamundshme pasi janë edhe shpenzime marramendëse. Prandaj, rreziku është i gjithanshëm. Do të jetë shumë e vështirë. Ne është dashur të kemi test paraprak, para ndeshjeve, të testohen lojtarët dhe nëse janë në rregull të mund të luajnë. Nuk besoj që me maska do të ishte mirë, pasi nuk mund të luajnë lojtarët me maska”, tha sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, i cili shtoi se nuk do të mund të luhen ndeshjet me shikues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme