FIBA i vë bllokadë të re Pejës

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Ende nuk është e sigurt pjesëmarrja e Pejës në garat e edicionit 2020/2021. Mirëpo, edhe nëse klubi pejan i basketbollit vendos për të garuar në Superligën e Kosovës dhe në Ligën Unike, do ta ketë të vështirë të formojë skuadër të denjë.

Peja sërish e ka të ndaluar të transferojë lojtarë. Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) i ka vënë bllokadë të re Pejës, për shkak të borxheve të klubit.

Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të FIBA-s, ndërsa është konfirmuar edhe nga drejtues të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Bllokada e FIBA-s nënkupton që Peja nuk mund të transferojë lojtarë të tjerë, ndërsa mund të llogarisë vetëm në ata që i ka të regjistruar.

Disa prej lojtarëve që ishin te Peja në edicionin e fundit, tashmë kanë gjetur skuadra të reja për sezonin 2020/21. Nuk është hera e parë që Peja bllokohet nga FIBA.

Një bllokadë e tillë e mëhershme e kombinuar me një krizë financiare kishte vënë në dyshim serioz ekzistencën e klubit me të cilin mburrej qyteti i Pejës. Peja një kohë kishte luajtur me juniorë e kadetë, e më pas hoqi dorë plotësisht nga garat. U rikthye edicionin e kaluar, madje fuqishëm. Mblodhi lojtarë cilësorë dhe programoi borxhet që kishte ndaj FIBA-s e që ishin mbi 200 mijë euro. Por Peja nuk u është përmbajtur afateve për pagesa të kësteve dhe për këtë është dënuar sërish nga FIBA.

Borxhet e Pejës janë akumuluar për shkak të mosplanifikimit të duhur buxhetor. Peja ka angazhuar lojtarë e trajnerë të shtrenjtë, ndërsa nuk ka pasur mbulesë financiare për ta. Kështu, borxhet janë rritur dhe palët janë ankuar te FIBA. FIBA ka vendosur në favor të palëve që kanë paditur Pejën, ndërsa klubin e ka bllokuar.

Kjo ka ndodhur sërish. Peja aktualisht nuk e ka të drejtën e marrjes së lojtarëve tjerë. Në klub kanë pranuar se janë në telashe të mëdha financiare pas përhapjes së pandemisë dhe kishin paralajmëruar mundësinë që të dënoheshin nga FIBA. Te Peja kanë shumë dyshime për pjesëmarrje në edicionin e ri të garave. Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, ka njoftuar të hënën se kanë marrë vendimin e FIBA-s për Pejën. Madje, Dushku ka thënë se qysh në mbledhjen e ardhshme të Bordit të FBK-së do të diskutohet për këtë çështje sa serioze aq edhe shqetësuese. 

Të ngjashme