Hasebe, heroi i përrallës së Frankfurtit

Prishtinë | 11 Maj 2019 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Nga golashënuesi serb Luka Joviq e deri te sulmuesi francez Sebastien Haller, Eintracht Frankfurti ka qenë platformë perfekte për dalje në skenën e madhe këtë sezon.

Falë talenteve të shumta, klubi i Bundesligës arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, ku u eliminua nga Chelsea vetëm pas ekzekutimit të penalltive, të enjten mbrëma.

Por, pos për “gjakun” e të rinjve, Frankfurti ka pasur nevojë edhe për përvojën dhe lidershipin e japonezit Makoto Hasebe.

Përderisa Joviq dhe të tjerët kanë menduar vetëm të shënojnë gola, ish-kapiteni i Japonisë ka qenë heroi që ka mbajtur këtë ekip stabil, sidomos në repartin defensiv, shkruan AFP, transmeton “Koha Ditore”.

35-vjeçari këtë edicion ka luajtur çdo minutë në Ligën e Evropës. Edhe pse shumë rrallë pushton ballinat e gazetave, Hasebe është aset shumë i rëndësishëm për trajnerin Adi Huetter.

“Makoto është si një shishe verë: sa më i vjetër, aq më i mirë bëhet. Ai është një lojtar kyç për ekipin tonë dhe jemi me fat që e kemi”, ka insistuar Huetter. “Ne arritëm deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Pavarësisht golave që i kanë shënuar sulmuesit tanë, Hasebe është më i merituari që u futëm në mesin e katër ekipeve më të mira të kësaj gare”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme