Infektohen me Coronavirus disa zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se disa zyrtarë të kësaj ministrie janë prekur me COVID-19.

MKRS bën të ditur se gjendja e zyrtarëve të prekur me coronavirus është e mirë dhe se ata janë në izolim, duke respektuar në përpikëri masat dhe sugjerimet e institucioneve shëndetësore, transmeton Telegrafi

Po ashtu, në njoftim thuhet se ministria dhe institucionet vartëse të saj po punojnë me staf të reduktuar, gjegjësisht staf esencial në respektim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Duam të njoftojmë qytetarët se objekti i MKRS-së dhe të institucioneve vartëse të ministrisë në Prishtinë dhe në qendrat tjera të Kosovës, të gjitha po i respektojnë masat mbrojtëse duke i dezinfektuar hapësirat dhe duke vënë në çdo hyrje dezinfektues për palët e jashtme.

Të gjitha palët e jashtme të cilat kanë raporte, punë apo obligime me MKRS-në inkurajohen që ato t’i kryejnë në distancë (online) nëse është e mundshme ose nëse është patjetër që të vijnë fizikisht, obligohen që të kenë masat e parapara mbrojtëse (maskat, distancën), në të kundërtën nuk do të lejohen të hyjnë në objektet e ministrisë dhe nuk do të marrin shërbim”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se MKRS-ja është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera shëndetësore për hapat e mëtejmë që duhen ndërmarrë.

“I sigurojmë të gjithë qytetarët që situata është tërësisht nën kontroll dhe i bëjmë thirrje palëve që në çfarëdo mënyre kanë kontakte me MKRS-në të respektojnë masat mbrojtëse dhe të kenë mirëkuptimin për shërbimet eventuale nëse ato janë me vonesë”.

Të ngjashme