Kombëtarja e Shqipërisë, e gatshme për fitoren e dytë

Prishtinë | 07 Sht 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Fitorja kundër Bjellorusisë në Minsk i ka dhënë krah Kombëtares së Shqipërisë. Kuqezinjtë tani kërkojnë edhe fitoren e dytë në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Shqipëria sonte takohet me Lituaninë në kuadër të grupit të katërt të Ligës C të Ligës së Kombeve. Ndeshja luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Të premten, Kombëtarja shqiptare fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Bjellorusisë. Ndërkohë, Lituania humbi 2:0 në shtëpi nga Kazakistani.

Përzgjedhësi Edy Reja, pret ndeshje të vështirë me Lituaninë. Ai thotë se lituanezët luajnë mirë me top. Reja ka paralajmëruar ndryshime në formacion.

“Do të jetë ndeshje e vështirë. Lituania ka një skuadër që luan mirë me top dhe lojtarë shumë të shpejtë. Por kam besim te ekipi im. Gjithsesi nuk e di si do të jetë gjendja e lojtarëve. Mund të bëjmë tri-katër ndryshime në formacion. Më duhet të jem i kujdesshëm në zgjedhjet e mia. Lituania humbi ndeshjen e parë dhe tani kërkon rezultat pozitiv”, ka thënë Reja të dielën në konferencë për shtyp.

Është vlerësuar se Kombëtarja ka bërë hapa të rëndësishëm para pas një periudhe shumë të gjatë jostabile. Reja ka formuar ekipin që pritet të konkurrojë për vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve.

“Ndaj Bjellorusisë isha i kënaqur me rezultatin, por rruga nuk do të jetë e lehtë. Nuk besoj se do të ketë eufori. Do ta mbajmë intensitetin e lartë. Nuk isha i lumtur me sulmin që nuk ndihmuan në prapavijë. Por, kishim shumë muaj pa luajtur dhe ishte e vështirë për të përgatitur ndeshjem”, ka shtuar Reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme