Komiteti Paralimpik i Kosovës bëhet me zyre të reja në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara

Prishtinë | 04 Dhj 2021 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Nëntë vjet pas themelimit, më 2012, institucioni më i lartë i lëvizjes paralimpike, Komiteti Paralimpik i Kosovës, ka arritur që me ndihmën e donatorëve dhe institucioneve vendore e ndërkombëtare, të inaugurojë zyret e para në histori të kësaj organizate.

Në prani të zëvendës Ministres për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani; shefit të misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark; Koordinatores së Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara-Ulrika Richardson;  Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të NATO-s (MSU)-  Komandant Stafono Fedele-; zv. drejtor i TEB Sh.a. ; Serhan Ozarslan,  dhe shumë personaliteteve vendore e ndërkombëtare si dhe atletëve, ceremonia ka filluar me prerjen e shiritit, duke e shpallur të hapur edhe zyrtarisht, ambientin që përfaqëson adresën e lëvizjes paralimpike.

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini: “Në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, e kemi inauguruar zyrën e Komitetit Paralimpik të Kosovës. Është ditë e veçantë për ne, përkundër kushteve të vështira, u punua shumë që  të bëhet më e mira për mbrojtjen e vlerave të paraplimpizmit.. Dëshiroj të falënderoj institucionet tona vendore dhe ato ndërkombëtare për mbështetjen e tyre. “

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha: “Jam i lumtur që EULEX-i ka kontribuar për një shoqëri gjithëpërfshirëse për të gjithë përmes dhurimit të pajisjeve të TI-së dhe mobiljeve për zyrë në zyrën e parë zyrtare të Komitetit Paralimpik të Kosovës. Ka shumë sportistë të talentuar me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe shpresojmë se do të mund të marrin pjesë edhe në Paraolimpiadën e ardhshme në Paris në vitin 2024 dhe ta bëjnë Kosovën krenare duke fituar medalje”.

Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për zhvillim, tha se “Njomza dhe ekipi punojnë sipas paradigmes të punohet me komunitetin për komunitetin. “Gjithëpërfshirja edhe obligim dhe detyrë në secilin proces prej vendim-marrjes e deri te aktivizmi dhe aktivitetet,” ka thënë Ulrika Richardson. 

Kolonel Stefano Fedele nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe të NATO-s (MSU)- ne fjalën  e tij tha:  Ushtarët Italian-Karaminieret janë të lumtur që kanë pasur mundësinë të jenë afër personave me aftësi të kufizuar, kemi qenë, jemi dhe do të mbesim miq më të mire të tyre.

Në fjalën e tij zv. drejtori i TEB Sh.a. Serhan Ozarslan ka lavdëruar Komitetin Paralimpik të Kosovës për punën e mirë dhe përkushtimin: “Ky angazhim dhe përkushtim për ta quar në nivele të larta organizimin e aktiviteteve të sporteve paralimpike, na ka shtyrë që të krijojmë partneritet të shëndoshë dhe të synojmë bashkëpunim serioz në 4 vitet e ardhshme. TEB Sh.a. ka qenë dhe do mbetet gjithmonë afër sportit, me theks të veçantë edhe atij paralimpik”.

Në fund të ceremonisë, kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës nënshkroi marrëveshje për donacion me EULEX-in dhe Memorandumin e Bashkëpunimit me koordinatoren e OKB-së.

Ambienti i ri sot ka qenë vendtakim, por në të ardhmen do të jetë në funksion të Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Të ngjashme