Kosova e fton Jasharin e Dritës për herë të parë për ndeshjen me Spanjën

Prishtinë | 06 Sht 2021 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Muharrem Jashari është ftuar për herë të parë në Kombëtaren e Kosovës dhe do t’i bashkohet ekipit në përgatitje për ndeshjen kualifikues kundër Spanjës për Kupën e Botës.

Kombëtarja e Kosovës është nikoqire e Spanjës në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet të mërkurën mbrëma, për ndeshjen e Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit 2022, raporton Gazeta Express.

Jashari, mesfushori i klubit të Superligës Drita, është ftuar për ta mbuluar boshllëkun e lënë nga Besar Halimi, i cili është i pezulluar për takimin e së mërkurës shkaku i kartonëve të verdhë.

Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se trajneri Bernard Challandes vendosi ta ketë në ekip 23-vjeçarin.

“Duke pasur parasysh se Lirim Kastrati dhe Besar Halimi nuk do të kenë të drejtë paraqitjeje në ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Spanjës për shkak të pezullimit me kartonë, përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes ka vendosur që për këtë ndeshje ta ketë në grumbullim mesfushorin e Dritës, Muharrem Jashari”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Të ngjashme