Kosova mund të paraqitet pa lojtarë që luajnë në Zvicër përballë Anglisë e Turqisë

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll mund të mos e ketë ndihmën e një numri të madh të lojtarëve që luajnë për klube të ndryshme të Zvicrës për ndeshjet eliminatore kundër Anglisë dhe Turqisë. Shpresat e Kosovës me këto dy përfaqësuese të mëdha do të përballen në fillim të muajit të ardhshëm, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2021”.

Kundër Anglisë, Kosova luan më datën 4 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, derisa katër ditë më vonë do të përballet në udhëtim me Turqinë. Menaxheri i Kosovës, Zgjim Sojeva, ka thënë se të paktën dhjetë lojtarë që janë pjesë e klubeve zvicerane mund të mos jenë në dispozicion të përzgjedhësit Rafet Prekazi, për shkak se atyre iu kërkohet karantinimi pasi të kthehen në Zvicër, vendin ku jetojnë pas përfundimit të grumbullimit me Kosovën.

E këtë shqetësim e ka edhe përfaqësuesja “A” e Kosovës. Edhe ekipi A i Kosovës ende nuk ka arritur marrëveshje me shtetin zviceran që futbollistët që janë ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes për ndeshjet e Ligës së Kombeve të lirohen nga karantinimi pas kthimit. Kosova më 3 shtator do të përballet me Moldavinë në Itali, kurse tri ditë më vonë e pret Përfaqësuesen e Greqisë në Prishtinë.

“Situata nuk është e mirë aspak. Zvicra nuk po i lëshon lojtarët, sepse i obligon që të karantinohen për dy javë pasi të kthehen. Klubet nuk kanë faj, por është shteti zviceran që e ka futur Kosovën në listë të kuqe për rastet e shumta me koronavirus. Jemi duke pritur përgjigje për të paktën dhjetë lojtarë. Me shtetet e tjera nuk e kemi këtë problem, pasi ato nuk i karantinojnë lojtarët nëse në testim dalin negativë. Por, vetëm me Zvicrën po kemi telashe, sepse Italia, Hungaria, Gjermania, Holanda, Suedia dhe Norvegjia prej ku edhe vijnë lojtarët, nuk kërkojnë karantinim nëse dalin negativë në testim”, ka thënë Sojeva të mërkurën për KOHËN.

Për ndeshjet kundër Anglisë dhe Turqisë, Kosova U-21 do të grumbullohet më 30 gusht. Por, për shpalljen e listës nga ana e përzgjedhësit Prekazi duhet pritur. E në rast se Zvicra dhe vendet e tjera prej ku vijnë lojtarët e “dardanëve” të rinj, nuk do të mund të vijnë në Kosovë, atëherë do të shkojnë me planin B. Për të marrë të gjitha masat, një pjesë e lojtarëve të klubeve të Kosovës, përzgjedhësi Rafet Prekazi dhe stafi i tij, do të testohen për koronavirus të enjten (sot) nga ora 12:00 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme