Kosova zgjedh Jonesin nga amerikanët për ndeshjet e këtij muaji

Prishtinë | 07 Shk 2020 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Qendra amerikane Shawn Jones (203 cm), do të jetë “arma” e Përfaqësueses së Kosovës në trapez për dy ndeshjet e para në kuadër të parakualifikimeve për botërorin e vitit 2023 që zhvillohen këtë muaj. Jones tashmë ka marrë ftesën dhe është takuar me përzgjedhësin e ri të Kosovës, grekun Christos Marmarinos.

Ky i fundit, ka vlerësuar se Jones do të jetë më i dobishëm dhe më i përshtatshëm ta ndihmojë Kosovën në ndeshjet me Islandën dhe Luksemburgun. Kosova ndeshjen e parë të këtyre parakualifikimeve do ta luajë më 20 shkurt në Prishtinë kundër Islandës, kurse tri ditë më vonë, do të jetë mysafire e Luksemburgut. Përfaqësuesja e Kosovës bën pjesë në Grupin B, të cilin e përbën edhe Sllovakia. Dy skuadrat e para në grup, do të avancojnë në fazën e dytë parakualifikuese, shkruan sot Koha Ditore.

Grumbullimi i basketbollistëve të Kosovës do të bëhet më 17 shkurt dhe përgatitjet do të mbahen në Prishtinë. Jones është vetëm njëri prej disa amerikanëve të natyralizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Të natyralizuar janë edhe Justin Doellman, Malcolm Armstead, Divine Myles e Scott Bamforth. Para se të vendosej për Jonesin, FBK-ja kishte dërguar ftesat për dy plejmejkerët, Mylesin dhe Bamforthin, të cilët planifikohej t’i bashkoheshin ekipit në përgatitje dhe pastaj përzgjedhësi Marmarinos të vendoste për njërin, pasi ekipet mund ta kenë vetëm një lojtar të natyralizuar në ndeshje.

Megjithatë, duke analizuar ekipin e tij, Marmarinos ka vendosur që Myles e Bamforth mos t’i bashkohen ekipit dhe në vend të tyre të ftohet qendra Jones, duke pasur parasysh edhe mungesën e qendrës Lis Shoshi, për shkak të lëndimit.

Të ngjashme