Kurti me tri postime për Kosovën, një për Shqipërinë

Prishtinë | 10 Qer 2022 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës në futboll duket se secilën herë e më shumë po e bën për veti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tifozët në Kosovë kishin përshtypjen se më shumë ka simpati për Kombëtaren e Shqipërisë shkaku i qëndrimeve politike të vjetra të tij për bashkim kombëtar apo për një komb me një kombëtare.

Por, kohëve të fundit Kurti është bërë një fans i vërtetë i Kosovës dhe shpesh po shkon edhe në stadium për ta përkrahur skuadrën verdh e kaltër.   

Ai mbrëmë ishte në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe “shpërtheu” në festë pas golave të “Dardanëve”, e po ashtu u shpreh shumë i entuziazmuar pas fitores prej 3:2 kundër Irlandës së Veriut.

“Mund të themi që përveq që s’kemi parë ndeshje kaq të bukur, nuk kemi shijuar as fitore kaq të këndshme. Nuk është i mjaftueshëm kapaciteti i stadiumit. Nëse vazhdojnë kështu të luajnë na duhet një stadium më i madh. Loja e sotme ka treguar që Kosova ka ekip të jashtëzakonshëm, i cili nuk do të kenaqet me pjesëmarrje, por me suksese më të mëdha”, tha Kurti mbrëmë pas ndeshjes për Klan Kosova.

E dashurinë për këtë ekip, Kurti po e shpreh edhe në profilin e tij në Instagram.

Nga katër postimet e fundit të tij, tri janë për Kombëtaren e Kosovës, kurse një tjetër për atë të Shqipërisë.

Pas fitores së arritur ndaj Qipros në udhëtim, Kurti shfrytëzoi rastin të uronte ekipin e Kosovës.

“Në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve në futboll, Kosova iu rikthye fitoreve për të na rikthyer neve festimet e golave dhe festën e fitores. Le të jenë këto vetëm tre pikët e para. Përpara!”, shkroi ai

“Futbolli është edhe emocion. Ekipi ynë këtë na e jep në çdo lojë për 90 minuta, si në fitore, po ashtu edhe në humbje e në barazim. Shikojmë përpara drejt ndeshjes së radhës, me motiv të njëjtë, edhe më të fortë se sot”, ishin fjalët ngushëlluese të kryeministrit pas humbjes dëshpëruese të dielën ndaj Greqisë.

Më pas, Kurti uroi Shqipërinë për barazimin e arritur ndaj Islandës në udhëtim.

“Një pikë shumë e rëndësishme ndaj një kundërshtari të drejtpërdrejt. I gëzohemi përherë rezultateve të mira dhe sukseseve të Shqipërisë, sepse na bashkon dhe na përfaqëson si komb. Ndeshjen e radhës, luajmë për fitore”, shkroi Kurti.

E mbrëmë, Kurti i kushtoi rëndësi më të veçantë, teksa përmendi edhe Fadil Vokrrin, i cili dje i bëri katër vjet prej ndarjes nga jeta.

“Nuk ishte hera parë në stadiumin e Prishtinës, e as fitorja e parë e Kosovës së cilës i jemi gëzuar aty. Megjithatë, sonte ishte ndryshe. Të gjithë ishim ndërmjet festës dhe përkujtimit. Ndërmjet gëzimit dhe mallit. Në fund ndeshja përfundoi duke qenë dedikimi më i mirë për Fadil Vokrrin në përvjetorin e katërt të vdekjes së tij. Emri i tij do të mbetët përgjithmonë në historinë tonë të futbollit, ashtu siç urojmë të mbeten fitoret e shumta të Kosovës”, shkroi Kurti mbrëmë në Instagramin e tij.

Të ngjashme