Liga e Austrisë thotë se nuk mund të operojë me rregullin e qeverisë për karantinë

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Liga profesioniste e futbollit e Austrisë ka thënë se nuk do të jetë në gjendje të rifillojë garat nëse qeveria insiston se gjithë skuadra duhet të futet në karatinë nëse një lojtar rezulton pozitiv me koronavirus.

Christian Ebenauer, drejtori menaxhues i ligës, ka thënë se rregulla e qeverisë është një goditje nokauti ndaj shpresave të Bundesligës së Austrisë që ta kompletojë stinorin apo ta startoj stinorin e ardhshëm.

Ai ka shtuar se dilema është se si do të reagohet nëse një lojtar testohet pozitiv me koronavirus.

Klube austriake janë lejuar të rifillojnë stërvitjet nga 22 prilli, duke rritur shpresat për vazhdimin e kampionatit, ndonëse pa shikues.

Protokolli mjekësor i përgatitur nga Bundesliga e Austrisë ka paraparë që nëse një lojtar teston pozitiv, atëherë ai do të ndahet nga pjesa tjetër e skuadrës, por bashkëlojtarët do të vazhdojnë stërvitjet nëse rezultojnë negativ.

“Ne kemi punuar fortë në javët e fundit dhe kemi marrë sinjale pozitive nga ministria e sportit se do të mund të rifillojmë me ndeshjet në Tipico Bundesliga”, ka thënë Ebenauer në intervistë për agjencinë Reuters. “Por, më pas na thanë se nëse një lojtar rezulton pozitiv me koronavirus, atëherë të gjithë në këtë skuadër, e në rast se ai ka qenë prezent në ndeshje, edhe skuadra kundërshtare do të duhet të kalojë 14 ditë në karantinë. Ishte goditje nokaut, dëshpërim i madh. Nuk është e mundur që liga të operojë me këto kushte”.

Ai ka shpjeguar se, pas karantinës, lojtarët duhet të stërviten sërish para se të luajnë një ndeshje.

“Nuk mund të kesh një kampionat në atë mënyrë”, ka thënë ai.

Ebenauer ka shtuar se negociatat me qeverinë do të vazhdojnë.

“Ne po mendojmë dhe po punojmë pa ndalur në këtë dhe po shohim nëse ka mundësi tjera dhe t’ia tregojmë këto ministrit të sportit dhe ministrit të shëndetësisë. Ne ende kemi shpresa se do të kemi rastin të luajmë”, ka shtuar Ebenauer.

Ai thotë se shumë po presin se çfarë do të vendos Gjermania.

“Problemi kryesor është karantina dhe vetëdija se nuk do të funksionojë nëse gjithë lojtarët futen në karantinë. Kjo duket se është pyetje kyçe gjithandej dhe të gjithë po presim se si do të vendosë Gjermania, nëse gjithë skuadra duhet të futet në karantinë apo jo. Mendoj se qeveria do t’i kushtojë vëmendje të veçantë se çfarë bën Gjermania”, ka thënë Ebenauer.

Ai ka treguar se ndeshjet pa shikues nuk janë ideale në Austri, pasi 47 për qind e buxhetit të klubeve vijnë nga sponsorët dhe shitjet e biletave, e vetëm 17 për qind nga të drejtat televizive.

“Ne nuk mund të harrojmë se çdo ndeshje pa shikues i kushton klubeve. Klubet jetojnë nga të hyrat nga tifozët dhe sponsorët”, ka deklaruar Ebenauer.

Të ngjashme