Man Unitedi ia ofron Allegrit pozitën e trajnerit

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e Manchester Unitedit i kanë kontaktuar përfaqësuesit e trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri, për t’ia ofruar atij pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq”, në vend të portugezit Jose Mourinhos.

E ardhmja e Mourinhos në pozitën e trajnerit në Old Trafford është vënë në pikëpyetje gjatë kohës së fundit për shkak të rezultateve jo të mira që ka marrë kohët e fundit, si dhe dyshohet se nuk e ka më besimin e lojtarëve, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, gjatë javës ishte raportuar se yjet e klubit, si David de Gea, Paul Pogba, Anthony Martial, Luke Shaw dhe të tjerë, nuk dëshirojnë ta vazhdojnë kontratën me klubin nëse nuk largohet strategu portugez nga klubi.

Portugezi kishte nënshkruar kontratë të re me “Djajtë e kuq” në janar, dhe përkundër spekulimeve se ai mund të shkarkohet nga puna, ende nuk ka pasur asnjë lajm zyrtar. Për më tepër, Mourinho do të takohet së shpejti me drejtorin ekzekutiv, Ed Woodward, për ta diskutuar të ardhmen e tij.

Për këtë arsye, Manchester Unitedi e ka kontaktuar Allegrin pasi që drejtuesit e klubit besojnë se trajneri i Juventusit mund ta përmirësojë situatën në klub dhe mund t’iu sjellë “Djajve të kuq” tituj të rëndësishëm.

Calciomercato raporton se Manchester Unitedi i ka ofruar italianit kontratë trevjeçar, si dhe një buxhet prej 200 milionë eurosh për afatin kalimtar të verës, në mënyrë që t’i transferojë futbollistët që i nevojiten.

Të ngjashme