Marotta: Nuk kthehem te Juventusi, Kumbulla lojtar i kërkuar nga të gjithë

Prishtinë | 10 Kor 2020 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Administratori i deleguar i Interit, Beppe Marotta, ka folur për mediat italiane para ndeshjes me Veronën ku Interi barazoi 2-2.

Ai i ka mohuar zërat për një rikthim te Juventusi, duke i cilësuar ato lajme si “fake news”.

“Kthimi te Juve? Absolutisht që kemi të bëjmë me një lajm të rremë. Jam mirë këtu, po punoj dhe kemi objektiva për të arritur. Jam i motivuar të rritëm së bashku me Interin”.

“Thjesht duhet të bëj maksimumin për të marrë rezultatet. Kemi një rrugëtim të gjatë dhe duhet durim. Klubi ka nevojë për stabilitet”, ka thënë Marotta për “Sky Sport”.

Drejtuesi i njohur ka folur edhe për mbrojtësin shqiptar Marash Kumbulla, për të cilin Interi interesohet prej kohësh.

“Ai është një lojtar që ka tërhequr vëmendjen e klubeve. Jam i lumtur për të, edhe pse më vjen keq që nuk ka zgjedhur kombëtaren italiane”.

“Ai është një ndër ata të rinj shumë interesantë në futbollin italian. Nuk është e lehtë të pikasësh dhe të afrosh kampion, por procesi i rritjes kalon nëpërmjet rezultateve dhe gjetjes së kampionëve”, deklaroi Marotta.

Të ngjashme